Vetëvendosja e Kosovës përballë Palestinës

par | Mar 7, 2026 | Shqip

Gjatë Bordit të paqes, më 19 shkurt 2026 në Uashington.

Të enjten, më 19 shkurt 2026, në Uashington, presidenti amerikan Donald Trump organizoi seancën e parë të organizatës së tij të re botërore, «Bordi i Paqes». Ky takim mblodhi 47 vende rreth një iniciative të paraqitur si një përpjekje për stabilizim ndërkombëtar, që trajtonte ndër të tjera edhe çështjen e Gazës. Ndër qeveritë evropiane të pranishme ishin Bjellorusia, Hungaria, Turqia, por edhe Shqipëria dhe Kosova. Gjatë së njëjtës seancë, gjenerali amerikan i ISF-së (International Stabilization Force), Jasper Jeffers, njoftoi se Kosova dhe Shqipëria do të siguronin forca ushtarake për ruajtjen e paqes në Gaza, së bashku me Indonezinë, Marokun dhe Kazakistanin. Në fund, pritet të dislokohen 20’000 ushtarë.

Harta e marrë nga faqja në Instagram : maven.mapping.

Ky projekt ishte përmendur fillimisht në Davos në muajin janar 2026. Ai parashikonte veçanërisht ndërtimin e 100’000 banesave në Rafah me synimin për të zhvilluar një «Gazë të re», duke i dhënë përparësi sigurisë dhe çmilitarizimit të Hamasit. Nisma mbështetet gjithashtu nga Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump dhe promotor imobiliar, i cili ndërkohë ka lidhur edhe një marrëveshje për të riorganizuar ishullin më të madh të Shqipërisë (Sazanin) në një resort turistik për super të pasurit. Projekti për Gazën është pothuajse identik, siç e kishte paraqitur Trump në një video.

Ky plan futet në një logjikë imperialiste investimesh dhe rikompozimi gjeopolitik në Lindjen e Afërt, por edhe në rajone të tjera ku qeveria e Trump identifikon tensione gjeopolitike që mund të shfrytëzohen ekonomikisht.

Pse pjesëmarrja e Shqipërisë dhe Kosovës?

Pjesëmarrja e Shqipërisë dhe Kosovës në « Bordin e Paqes » nuk mund të konsiderohet thjesht si një gjest diplomatik. Ajo ngre pyetje të thella mbi koherencën politike të këtyre dy shteteve, legjitimiteti historik i të cilëve mbështetet mbi parimin themelor të së drejtës së popujve për vetëvendosje. Në Kosovë, ky nocion gjendet madje në emrin e partisë në pushtet : Lëvizja Vetëvendosje. Mirëpo çështja palestineze është pikërisht një çështje vetëvendosjeje.

Në fakt, kjo pjesëmarrje ngre pyetjen e vendit të Shqipërisë dhe Kosovës në skenën politike evropiane dhe botërore; ajo ngre gjithashtu pyetje për aleancat e tyre ushtarake, veçanërisht me NATO-n — ende e pranishme në Kosovë.

Disa simptoma e paralajmëronin këtë qëndrim pro-imperialist, pro-amerikan dhe pro-izraelit, veçanërisht nga ana e Shqipërisë, e udhëhequr nga Edi Rama. Gjatë një vizite të fundit në Izrael pranë gjenocidarit Benjamin Netanyahu, ai deklaroi: « gruaja ime është myslimane, unë jam ortodoks, djali im ndoshta do të jetë hebre », duke iu referuar narrativës së njohur të tolerancës fetare shqiptare. Në këtë kontekst, kjo deklaratë nuk është e pafajshme: përmes një krahasimi me Shqipërinë, ajo e paraqet çështjen palestineze si një problem fetar dhe jo politik.

Qëllimi këtu është të ndriçohen motivet e këtij pozicionimi dhe, duke bërë këtë, të zbulohet një strategji retorike dhe gjeopolitike që i çon dy shtetet me shumicë shqiptare — Shqipërinë, dhe sidomos Kosovën, mbi të cilën përqendrohet ky tekst — të komprometojnë sovranitetin dhe legjitimitetin e tyre duke u rreshtuar me interesat imperialiste të Shteteve të Bashkuara.

Nga njëra anë, projekti neoliberal i Shqipërisë…

Nga ana e Shqipërisë, kryeministri Edi Rama ka shumëfishuar gjestet diplomatike të afrimit me Izraelin. Ky orientim futet në një vizion më të gjerë : tërheqjen e investimeve të huaja, integrimin më të madh të ekonomisë shqiptare në qarkullimet ndërkombëtare dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian. Kjo politikë hapjeje neoliberale mbështetet nga elitat ekonomike lokale (për të mos thënë oligarkët), të cilët shohin në këto aleanca mundësi pasurimi dhe zgjerimi drejt tregjeve të reja.

Afrimi me Serbinë në kuadër të projektit Open Balkan, i quajtur edhe « mini-Schengen », futet në të njëjtën logjikë. Ky projekt synon të lehtësojë qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve dhe njerëzve ndërmjet Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kosova, ndërkaq, vazhdon ta refuzojë pjesëmarrjen për shkak të tensioneve me Serbinë. Një pjesë e madhe e shqiptarëve të Kosovës e konsideron bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Serbisë si një formë tradhtie identitare.

…Nga ana tjetër, ankthi i sigurisë në Kosovë

Pozicionimi i shtetit të Kosovës është më i vështirë për t’u kuptuar; ai shpjegohet nga faktorë të tjerë, kryesisht të natyrës së sigurisë.

Ardhja në pushtet e Lëvizjës Vetëvendosje shënoi një shkëputje nga qeveritë e mëparshme. E udhëhequr nga Albin Kurti, ajo premtonte një ndryshim paradigme: luftë kundër korrupsionit, forcim të shtetit social, qëndrim më të fortë ndaj Serbisë dhe afirmim të një sovraniteti politik më të theksuar. Për herë të parë që nga pavarësia, një parti e lindur nga protesta popullore, kritike ndaj korrupsionit sistemik dhe elitave të dala nga lufta, merrte drejtimin e shtetit.

Megjithatë, që nga ardhja në pushtet, kjo parti duket se është përshtatur gradualisht me kufizimet gjeopolitike ekzistuese. Varësia e sigurisë së Kosovës — e lidhur me praninë e vazhdueshme të NATO-s në territorin e saj, mosnjohjen nga disa shtete dhe nevojën për të ruajtur mbështetjen amerikane — peshon rëndë mbi zgjedhjet e saj politike.

Çështja palestineze e ilustron qartë këtë kthesë: Vetëvendosje ka hequr gradualisht nga faqja e saj zyrtare të gjitha qëndrimet e mëparshme në mbështetje të qartë të kauzës palestineze. Këto qëndrime, që dikur futeshin në një lexim të përgjithshëm të luftërave dekoloniale dhe të së drejtës së popujve për vetëvendosje, nuk shfaqen më në komunikimin aktual të partisë.

Hapësira gjeopolitike e manovrimit për një shtet të vogël si Kosova mbetet e ngushtë. Megjithatë, zgjedhjet e bëra nga qeveria dhe partia e Kurtit tregojnë një dështim politik dhe moral, por edhe një gabim strategjik kolosal.

Statuja e Bill Clinton në Prishtinë me në sfond sloganin e parë të Vetëvendosjës.

Pasqyra e Palestinës

Ajo që bie në sy në pjesëmarrjen e Kosovës në « Bordin e Paqes » është edhe mungesa pothuajse totale e debatit publik për këtë çështje në vend. Në mediat lokale, çështja palestineze është margjinale. Politika e jashtme trajtohet kryesisht nga këndi i njohjes ndërkombëtare të Kosovës dhe i marrëdhënieve me Serbinë, dhe rrallë nga ai i solidaritetit ndërkombëtar.

Studiuesi Arbër Qerka-Gashi thekson megjithatë se Kosova dhe Palestina paraqesin paralele historike, veçanërisht në luftërat e tyre përkatëse për vetëvendosje. Këto interpretohen shpesh përmes filtrave gjeopolitikë të imponuar nga fuqitë e mëdha, të cilat priren që t’i ndajnë, madje edhe t’i kundërvënë lëvizjet që ndjekin qëllime të ngjashme.

Një argument përsëritet shpesh në sferat politike të Kosovës : Palestina nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, prandaj do të ishte jokoherent t’i jepet mbështetje. Ky qëndrim mbështetet në një lexim strikt diplomatik të marrëdhënieve ndërkombëtare. Mirëpo zgjedhjet diplomatike varen gjithmonë nga sferat e influencës ku lëvizin shtetet. Kosova historikisht bën pjesë në sferën e dominimit perëndimor, ndërsa Palestina ka kërkuar mbështetje gjetkë. Ky polarizim nuk do të thotë se kërkesat e tyre për vetëvendosje janë të kundërta ; ai pasqyron mënyrën se si fuqitë e mëdha e organizojnë botën në sfera influence.

Megjithatë, populli shqiptar — qoftë në Kosovë, në Shqipëri apo në diasporë — ka shfaqur historikisht një mbështetje të gjatë për kauzën palestineze. Përkundrazi, në mesin e elitave politike dominon qasja gjeostrategjike. Kërcënimi i qeverisë nacionaliste serbe të Aleksandar Vučić dhe konteksti i luftës në Ukrainë e kanë dobësuar guximin politik të Vetëvendosjes. Sot, në qeverinë kosovare, çështja palestineze nuk prodhon më veçse siklet dhe një ngritje supesh të neveritshme; shikimi shmanget dhe ëndërrohet madhështia pranë gjigantit amerikan.

Një lëvizje sociale e thatë

Mungesa e debatit publik në Kosovë rrjedh edhe nga një transformim më i thellë i brendshëm i peizazhit politik. Gjatë ardhjes së saj graduale në pushtet, Vetëvendosje u mbështet gjerësisht te lëvizjet sociale të vendit : mbrojtja e shërbimeve publike, kundërshtimi i privatizimeve, mobilizimet feministe dhe kërkesat sindikale. Partia mishëronte një alternativë ndaj elitës së vjetër politike, shpesh e lidhur me korrupsionin dhe kompromiset e përsëritura.

Por pasi erdhi në pushtet, ky orientim politik prodhoi një efekt paradoksal. Duke përqendruar mbi vete pjesën më të madhe të aspiratave për ndryshim, Vetëvendosje u bë, për një pjesë të shoqërisë, mburoja e fundit kundër rikthimit të klasës së vjetër drejtuese. Në këtë kontekst, çdo kritikë ndaj qeverisë priret të perceptohet si dobësim përballë forcave politike që konsiderohen më të rrezikshme.

Edhe pse ekzistojnë ende xhepa rezistence, hapësira e kritikës dhe e kundërshtimit është zvogëluar. Debati mbi pjesëmarrjen në Bordin e Paqes dhe dërgimin e forcave ushtarake kosovare në Gaza është, në fakt, pothuajse inekzistent. Çështja nuk mendohet më në terma drejtësie dhe koherence politike e morale, por në terma besnikërie — veçanërisht ndaj Shteteve të Bashkuara.

Një dështim moral i shoqëruar me një gabim strategjik

Çështja palestineze nuk mund të shmanget kaq lehtë. Ajo e detyron Kosovën të përballet me historinë e saj. A mund të mbrohet për vete e drejta e popujve për vetëvendosje dhe të mos mbështetet i njëjti parim për të tjerët ? Përgjigjja është e thjeshtë : jo. Duke marrë de facto qëndrim në favor të gjenocidit ndaj palestinezëve dhe duke justifikuar luftërat amerikane kundër Venezuelës dhe Iranit, qeveria kosovare e refuzon nocionin universal të vetëvendosjes dhe kështu saboton legjitimitetin e vet.

Nëse mund të mohohet e drejta e një populli, pse jo edhe e një tjetri ? Nëse Shtetet e Bashkuara mund të vrasin udhëheqës dhe të nënshtrojnë qeveri, pse një Serbi nacionaliste nuk do të kishte të drejtë të bënte të njëjtën gjë ? Ku qëndron koherenca politike dhe forca morale e një shteti kosovar që shkel parimet që justifikojnë vetë ekzistencën e tij ?

Disa do të japin një përgjigje pragmatike: Kosova ia detyron pavarësinë ndërhyrjes amerikane të vitit 1999 dhe paqen pranisë së KFOR-it dhe trupave të Ushtrisë Amerikane në kampin gjigant Bondsteel në juglindje të vendit. Pa Uashingtonin, shqiptarët e Kosovës do të ishin masakruar ose dëbuar, rajoni do të ishte nën dominimin serb, ose qeveria e Vučić do të kishte nisur një sulm të ri kundër vendit.

Ky lexim përmban një pjesë të së vërtetës : shteti kosovar, ashtu siç ekziston sot, është produkt i ndërhyrjes së NATO-s dhe i protektorateve të njëpasnjëshme të UNMIK-ut dhe EULEX-it. Në këtë kuptim, Kosova është një ndërtim amerikan, atlantist dhe i OKB-së, dhe jo shprehje e lirë e vullnetit popullor.

Për shembull, referendumi për bashkim me Shqipërinë — i cili do të mbështetej nga një shumicë në të dy vendet (nga 70% deri në 80% sipas Euronews Albania në vitin 2024) — i refuzohet për shkak të kornizës juridike ndërkombëtare. Ai gjithashtu dekurajohet fort nga shtetet perëndimore, nën kërcënimin e bllokimit të procesit të integrimit evropian.

Përtej këtyre elementeve, të cilat vënë në pikëpyetje vetë nivelin real të vetëvendosjes që lejon shteti aktual kosovar, duhet të vihet në dyshim edhe supozimi sipas të cilit rreshtimi me NATO-n garanton mbështetje reciproke. Në kundërshtim me një ide të përsëritur nga mediat dhe politikanët kosovarë, interesat e Shteteve të Bashkuara nuk janë domosdoshmërisht identike me ato të shqiptarëve të Kosovës. Mbështetja amerikane është rrethanore. Për momentin, është ende e dobishme për perandorinë të ketë një bazë prapavije dhe kontroll politik në Ballkanin Perëndimor — një hapësirë liminale ndikimesh të jashtme dhe konfliktesh.

Por çfarë do të ndodhë kur, siç projekton qeveria Trump dhe ato që e kanë paraprirë, përballja me Kinën — e shoqëruar me rivendosjen e marrëdhënieve të mira me Rusinë — të dominojë çdo konsideratë tjetër ? A do të jetë ende prioritare prania në Kosovë, në Ballkan dhe më gjerë në Evropë ? Në shkurt 2026, administrata amerikane njoftoi se po shqyrtonte një reduktim të garnizoneve të saj dhe u kërkoi aleatëve të saj të zvogëlonin praninë ushtarake në vend. Nëse KFOR shpërbëhet, a do të vazhdojë të ekzistojë paqja relative në rajon ?

Drejt sqarimit

Ekzaksionet e fundit imperialiste të kryera në Palestinë, në Venezuelë dhe në Iran, si dhe agresioni rus në Ukrainë, i shtyjnë qeveritë shqiptare dhe sidomos atë kosovare drejt disa sqarimeve. Me deklaratat e tyre, dhe tani me dërgimin e turpshëm të trupave në Gaza, ato kanë vendosur të afirmohen si vasalë të imperializmit amerikan dhe të aleatit të tij izraelit. Në Kosovë, mungesa e lëvizjeve reale sociale të kundërshtimit, të përthithura nga Vetëvendosje, e çon politikën e vendit në një rrugë pa dalje, të mbushur me pasiguri.

Zhvillimi i një opozite të majtë të besueshme, që të mbajë njëkohësisht një vizion internacionalist dhe një vullnet për bashkë-ndërtimin e paqes rajonale, është përgjigjja e vetme ndaj sfidave të tilla. Ndërtimi i saj bëhet i domosdoshëm, si në vend ashtu edhe në diasporë.

Share This