Portret i Ukshin Hoti-t. 

 Parathënie

« Ku është Ukshin Hoti ? »  Ishte  viti 2001 në Krushë të Madhe, ku për herë të parë u përballa me këtë mbishkrim që sot i përmbush muret e Prishtinës. « Është një politikan i zhdukur gjatë luftës », më patën thënë. Si shumë të tjerë gjatë luftës së Kosovës më 1999, desha të them. Më pas, me kalimin e ngjarjeve të ndryshme në Kosovë, emri i Ukshin Hotit kumbonte çdo ditë e më shumë. Ndonjëherë nëpër gazeta e ndonjëherë nëpër televizione ; pa mos e ditur se kush ishte ai në të vërtetë dhe duke mos e ditur arsyen pse e kërkohej. Emri i tij tingëllonte si jehonë e klithmave të dëshpërimit të popullit shqiptar, duke e lutur që të kthehet, që ai t’i shpëtojë, sepse nuk i shpëtuan pushtetit që mbretëronte. Vitet kalonin dhe Kosova endeshte pa status politik në kontinentin e vjetër. Pas zhdukjes së tij, vetëm në  vitin 2008 pas pavarësisë së Kosovës mediatizimi i tij filloi të rritet. Shumë shqiptarë do të thoshin me keqardhje « Populli jonë di t’i njohë vlerat e dikujt vetëm pas vdekjes së tij », duke e konfirmuar në një mënyrë thënien e Kadaresë « Shqipëria është një mbretëri e të vdekurve, ferrit, mbretëria e Hadit »1. Megjithatë,  që të vazhdojë jeta, Kosova kishte ndërtuar pavarësinë e re, ligje të reja, një kushtetutë të re, një qeveri të re. Por, e gjithë kjo pa mos e llogaritur mospajtimin e një pjese të popullsisë dhe poashtu duke harruar se një farë Ukshin Hoti vite më parë kishte imagjinuar dhe ndërtuar në shkrimet e tij një shtet shqiptar që përfshinte Kosovën dhe të gjitha trojet etnike shqiptare. Duke e ngritur kështu pyetjen e madhe që e trondit gjithë Evropën dhe që i përpinë shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë : a do të bashkohen këto dy shtete ? Kritikët do të flisnin për një « Shqipëri të madhe », si një nacionalizëm i tepruar, si një përbindësh që do ta gëlltiste të gjithë Evropën. Përkrahësit, në anën e tyre do të thonin që është një « bashkim kombëtar », që gabimet e së kaluarës duhet të përmirësohen dhe që asgjë nuk do të mund ta ndalë këtë bashkim. Këtij bashkimi i tremben shtetet tjera ballkanike por është i përkrahur nga Lëvizja Vetëvendosje. Lëvizja me kreun e saj Albin Kurti ka ditur ta rivendosë në ballë Ukshin Hotin. Duke i bërë shkrimet e tij udhërrëfyesin kryesor të programit të tyre politik me një qëllim të pashmangshëm « bashkim kombëtar » dhe duke i rikthyer në vëmendje pyetjet politike dhe gjeostrategjike të popullit shqiptar në Ballkan. Por, « Ku është Ukshin Hoti ? » I zhdukur në vitin 1999, këtu do të përpiqemi kryesisht për të ditur se « Kush është Ukshin Hoti ? »

Fëmijerija dhe shkollimi

Ukshin Hoti ka lindur më 17 qershor 1943 në Krushë të Madhe në komunën e Rahovecit të Kosovës. Është më i madhi prej 6 fëmijëve të familjes2. Nëna e tij, Fatimja ishte një amvise ndërsa babai i tij, Nazifi mbante një kioskë gazetash përballë shkollës së fshatit. Në këtë shkollë, Uka siç ju pelqen prindërve të tij ta quanin, filloi studimet. Shkolla e fshatit ofronte vetëm mundësinë për të kryer katër vite të shkollimit fillor. Për këtë arsye, katër vitet e fundit i vazhdon në fshatin Rogovë të Hasit. Në moshën 15 vjeçare, prindërit e regjistrojnë në « Shkollën Normale ». Pasi kryen katër vitet e para në Prizren dhe të fundit në Prishtinë, ky nivel arsimor i mundëson atij të japë mësim në 1963, në fshatin e tij të lindjes. (Shih foton nr. 3 të galerisë me poshtë). Megjithatë Ukshin Hoti dëshiron të ndjekë studime universitare.  Sipas vëllait të tij, Afrimit, më 1964 regjistrohet fillimisht në fakultetin e mjeksisë në Zagreb. Pastaj, me këshillë të profesorëve të tij ai shumë shpejtë riorientohet në shkencat politike. Vëllau i tij Ragipi e përcjellë dhe pajtohet të bëjë punë fizike për ta financuar shkollimin e vëllaut. Këtu është një dëshmi e nënës së Ukshin Hotit për shkollimin të fëmijëve të saj : 

 « Prej fëmijëve Ragipin dhe Hidajetin nuk patëm mundësi t’i shkollonim. Ragipi punonte si punëtor fizik për ta ndihmuar Ukën derisa ishte në studime. Dy vajzat Myrveten, Resmijen dhe djalin Afrimin i dërguam në shkollë. »

Në Zagreb, Ukshin Hoti jep shenjat e para të aktivizmit : Ai organizon protesta kundër luftës në Vietnam3. Pas përfundimit të studimeve, në vitin 1968 ai fillon studimet pasuniversitare në Beograd në drejtimin e marrëdhënieve politike dhe ekonomisë ndërkombëtare. Paralelisht me studimet, ai kryen në të njejtin qytet edhe shërbimin ushtarak (Shih foton nr. 4 të galerisë me poshtë). Nga viti 1969, ai do të shkruajë artikuj të ndryshëm në rubrikën e punëve të jashtme të gazetës « Rilindja ». Në shkurt të vitit 1970, ai angazhohet në administratën shtetërore, më saktësisht në Komisionin Ndërkombëtarë për Bashkëpunim me LSPPJ (Lidhja Socialiste e Popullit Punonjës të Jugosllavisë) ku punon deri në maj të vitit 1972. Në kuadër të saj, ai delegohet për një mision paqëruajtës në Angolë për një periudhë 4 mujore dhe sipas vajzës së tij, Erleta Hoti në Indi për një periudhë 2 mujore.

Ukshin Hoti (i katerti prej të majtës) gjatë ndarjes së diplomave të fakultetit të Zagrebit, 1968.

Në prill të vitit 1972 ai emërohet Sekretar i sekretariatit për Marrëdhenie më Jashtë. « Ky emërim bie në kundërshtim me disa kuadro të larta të atëhershme të Kosovës » dëshmon nëna e tij Fatimja duke mos zbuluar emra. Për këtë arsye, ai shpërngulet në Prishtinë për të marrë funksionet e tij. Gjatë mandatit të tij, Ukshin Hoti është edhe një ndër arkitektët e marrvëshjeve ndërmjet Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Kjo u ka mundësuar disa profesorëve të Shqipërisë të vijnë të vendosen në Kosovë për të ligjëruar në Universitetin e Prishtinës4. Për shembull: Arben Puto, që ka ligjëruar histori dhe marrëdhënie ndërkombëtare, deri më 1980. Ky bashkëpunim ishte një përparim madhor për shqiptarët e Kosovës edhe përkundër rrezikut që merrnin të dy palët : për Jugosllavinë që shifte shqiptarët e Kosovës të ushqeheshin me kërkesat për pavarësi dhe për Shqipërinë e Enver Hoxhes, që ishte e izoluar, duke lejuar pasqyrimin e një boshllëku të formuar, duke u lejuar arsimtarëve të saj të punonin në një shtet më të hapur drejt perëndimit. Megjithatë, hendeku ekonomik ndërmjet Kosovës dhe shteteve tjera Jugosllave po thellohej edhe më shumë. Duke mos patur mundësi për të reaguar në punët e mbrendeshme të Kosovës e sidomos duke mos mundur t’iu përgjigjet nevojave të rinisë shqiptare, duke vënë në pikëpyetje situatën socio-ekonomike dhe duke pretenduar më shumë të drejta dhe liri, Ukshin Hoti më 1977 jep dorëheqje nga posti i sekretarit për marrëdhënie me jashtë.

Ukshin Hoti në Angola, 1972. 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Në vitin 1978, pasi ka fituar bursën « Fulbright 5», Ukshin Hoti udhëton për në Shtetet e Bashkuara për të vazhduar specializimin në Universitetin e Washingtonit, Çikagos poashtu edhe të Harvardit, ku punon edhe si shkencëtarë i pavarur. Gjatë qëndrimit atje, ai merr pjesë në simpoziume të ndryshme të organizuara prej anëtarëve të Kongresit dhe senatorëve amerikanë. Këtu është një shkëputje e marrë nga deklarata e tij e mbrojtjes më 1994 ku ai flet për jetën e tij :

 « Gjatë qëndrimit në specializim në SHBA kam gëzuar një trajtim jashtëzakonisht të lartë. Kam qenë i emëruar nga ana e rektorit të Universitetit të Harvardit si hulumtues shkencor i pavarur. Kam qenë i zgjedhur si i vetmi njeri që do të përfaqësonte të gjithë specializantët dhe postdiplomistët e Evropës në SHBA. Në këtë cilësi kam marrë pjesë në shumë dreka dhe bisedime që i organizonin senatorë e kongresmenë të caktuar dhe përfaqësues të pushtetit në SHBA. Kam marrë pjesë aktivisht nëpër simpoziume të ndryshme shkencore dhe nëpër ligjërime të intelektualëve autoritarë të SHBA. […] I kisha dyert e hapura për të gjitha kontaktet e mundshme dhe gëzoja shkallë të lartë të ndihmës teknike. […] Mirëpo për të gjitha këto, për gjithë atë trajtim të lartë që m’u kishte siguruar atje, asnjëherë gjer më sot nuk e kam falenderuar qeverinë e SHBA-ve. Këtë gjë nuk e kam bërë jo vetëm për shkak se menjëherë pas kthimit në Prishtinë me 1979 jam përfshirë në vorbullën e ngjarjeve që pasuan së shpejti, por më tepër për shkak se gjithnjë deri më sot nuk kam pasur përgjigje të qarta në disa pyetje që më mundojnë edhe tani. Ishin të nevojshme kohë të mbushura me ngjarje që këtë më në fund ta kuptoja, në mënyrë që të dija edhe të pozocionohesha në raport me të. […] Ajo që mua ndërkaq atëherë më pengonte dhe që nuk arrija të kuptoja dot ishte paaftësia ime që t’i zbuloja qëllimet e vërteta amerikane kundrejt popullit shqiptar të cilit unë i përkisja. Dëshiroja të depërtoja pak më larg nga kundërvënia e tyre ndaj regjimit të Enver Hoxhës, por këtë gjë ata nuk ma mundësonin. »

Gjatë qëndrimit të tij në Amerikë, Ukshin Hoti tenton t’ua demonstrojë amerikanëve kompleksitetin e situatës në Ballkan dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Kosovës. Megjithatë, për shkaqe ekonomike, çështja shqiptare në sy të amerikanëve lihet anash. Që në vitin 1977, përmendej pavarësia e Kosovës si një mënyrë që do të sillte stabilitet në Ballkan, thotë Stephen Larrabee, anëtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Presidentit Karter dhe mik i Ukshin Hotit ; Tash është në pyetje një Shqipëri e bashkuar vetëm nën Jugosllavinë. Këtu është një tjetër shkëputje nga deklarata e tij e mbrojtjes për këtë çështje :

 « E di se pikëpamja që amerikanët më me dëshirë do ta shihnin Shqipërinë të bashkuar me Kosovën dhe jo Kosovën me Shqipërinë ishte e përhapur gjerësisht midis emigracionit politik shqiptar në SHBA.[…] Kisha vënë re se gjithë çka kishte të bënte me Shqipërinë ishte e vendosur në kuadër të studimeve sllave dhe kjo si në Harvard ashtu edhe në Universitetin e Çikagos, ashtu edhe në Bibliotekën e Washingtonit DC. […] Lidhur me këtë çështje ata (Amerikanët) rezononin nga pozita e superfuqisë dhe nga pozita e politikës globale. […] Prandaj ranë në konkluzionin se do të duhej që Shqipërinë t’ia bashkonin Kosovës, në mënyrë që edhe më tej të mund t’i shisnin botës sllave 300 milion këmisha në vend të vetëm 5 milion këmishave sa do të mund t’u shisnin shqiptarëve po t’i mbështesnin. »

Duhet të theksohet se Jugosllavia, në dyert e Evropës, ishte një ndër shtetet më të hapura nga blloku komunist.  Këtë e dëshmon edhe fakti se në vitet e 70-ta, afaristët zviceran dhe gjerman shkonin dhe kërkonin punëtorë krahu në Jugosllavi. Edhe Ukshin Hoti, në mesin e qytetarëve të tjerë të Jugosllavisë ta ketë mundësinë që të shkollohej në Shtetet e Bashkuara. Sa i përket arsyes se çfarë e shtyu Ukshin Hotin të largohet, sipas shokut të tij Bislim Elshani, ishte se establishmenti i Kosovës i personalizuar ndër të tjera nga Mahmut Bakalli, dëshironte ta largonte personin që ai ishte : shqetësues me pretendimet për Kosovën. Kjo në interes të Kosovës dhe të tij, meqë që kishte mundësinë të shkollohet jashtë vendit. Sa u përket privilegjeve që kishte marrë ai në Shtetet  e Bashkuara përsëri sipas Bislim Elshanit, ishte falë personit të tij, kulturës që ai kishte dhe të kuptuarit e tij për shoqërinë dhe për demokracinë amerikane, që ai e njihte permes Aleksis dë Tokëvill, njërit prej autorëve të tij të preferuar.

UKSHIN HOTI : Pjesa 2, angazhimi

Galeria

Shënime

1. Ismail Kadare, « Prilli i thyer » 1980.
2. Sipas rendit të lindjes : Ukshin, Hidajete, Ragip, Myrvete, Resmijë dhe Afrim Hoti.
3. Ukshin Hoti dhe Ismail Kadare, « Bisedë përmes hekurash » fq. 108.
4. Llogaritet se kanë ardhur 224 profesorë ndërmjet viteve 1970 dhe 1981 sipas Serge Métais, «Histoire des Albanais, des Illyriens à l’indépendance du Kosovo». fq. 328.
5. http://eca.state.gov/fulbright – Faqja zyrtare e programit Fulbright.
Share This