Jared Kushner në Samitin e Aksionit për Nxënës të Rinj të Turning Point USA, më 23 korrik 2019. (Gage Skidmore)
Dhëndri i Donald Trumpit, Jared Kushner, ka përmbyllur një marrëveshje investimi prej 1.4 miliardë dollarësh për të zhvilluar ishullin më të madh të Shqipërisë. Dikur zonë e mbrojtur, tani do të shndërrohet në resort luksoz.
Pasi Jared Kushner, dhëndri i Donald Trumpit, finalizoi një investim prej 1.4 miliardë dollarësh për ta kthyer Sazanin, ishullin më të madh të Shqipërisë, në një resort luksoz, ai ndau makete dixhitale të rezervatit natyror të shndërruar në ndërtesa me apartamente me xhama dhe pishina pafundësie. Këto imazhe përkujtojnë vizionin absurd të Trumpit të gjeneruar nga AI për një “Rivierë të Gazës”, ku parashihej ndërtimi i një resorti luksoz mbi tokën ku u masakruan tetëdhjetë mijë dhe u zhvendosën ose deportuan dy milionë palestinezë.
Megjithatë, këto dy projekte i lidh më shumë se sa thjesht shija e keqe për luksin. Affinity Partners, mjeti investiv përmes të cilit Kushner po e blen Sazanin, u krijua për të përdorur paratë saudite për të nxitë bashkëpunimin ekonomik mes Izraelit dhe botës arabe. Ndërkohë, Shqipëria, një vend i varfër evropian me identitet mysliman dhe etje për integrim perëndimor, është një pjesë kyçe e kësaj skeme.
Siç sugjeron megaprojekti në Sazan, sovraniteti dhe besnikëria gjeopolitike e Shqipërisë janë gjithnjë e më shumë në shitje – dhe Izraeli është i pari në radhë pas Kushnerit. Përveç zhvillimit të Sazanit, Shqipëria ofron hapësirë për kopshte dhe qendra shëndetësore të financuara nga Izraeli, projekte të inteligjencës artificiale, militantë opozitarë iranianë të lidhur me Izraelin dhe madje edhe një mikro-shtet mysliman pro-izraelit. Kryeministri Edi Rama po e pozicionon vendin si një bazë kyçe për një bosht të ri të populistëve të djathtë dhe mbrojtësve të politikave të Izraelit.
“Vijnë me helikopter”
Arrij në Sazan disa orë pasi Kushneri dhe gruaja e tij Ivanka Trump e bënë vizitën e radhës të tipit “vizitë e shkurtër dhe pa paralajmërim”. “Erdhën me eskortë të madhe ushtarake, dhe anijet tona u detyruan të qëndrojnë larg,” thotë Arbeni, një i ri vendas që punon me udhëtime me anije nga Vlora. “Sigurisht që nuk na pyetën. Një ditë, kryeministri doli në televizor dhe na tha që ishulli është shitur.”
Ishulli ka klimë subtropikale, ujëra të kristalta, bimësi të dendur dhe mijëra bunkerë nga epoka komuniste e Enver Hoxhës. Sot, një pjesë e ishullit është ende e ndaluar për publikun dhe e mbushur me municione të pashpërthyera, ndërsa një anije ushtarake qëndron në port. Ishulli mbeti pronë shtetërore deri më 2024, kur iu shit Kushnerit, ndërsa qeveria ndryshoi ligjet për të lejuar ndërtime luksoze edhe në zona të mbrojtura. “Nëse je ‘investitor strategjik’, mund ta shkelësh ligjin, sepse qeveria jonë është vetëm një mafie,” thotë Kosta Xhaho nga një OJQ mjedisore. Për më tepër, Affinity Partners nuk do të paguajë taksa gjatë ndërtimit, ndërsa shteti shqiptar do të mbulojë infrastrukturën.
Projekti i ndërtimit shtrihet edhe në tokën kontinentale. Në agim, Xhaho dhe unë nisim nga Vlora drejt një rezervati natyror fqinj, aty ku Vjosa – e njohur si lumi i fundit vërtet “i egër” në Evropë – derdhet në Adriatik. Delta ka një bukuri sureale. Flamingot flenë në kënetat me kripë ndërsa pelikanët fluturojnë sipër, dhe në këtë pjesë të paprekur të bregdetit adriatik gjenden edhe foka të mbrojtura, çakej dhe breshka. Xhaho e njeh rezervatin në mënyrë të thellë — ai tregon saktësisht 281 vezë flamingosh të vendosura në një segment të caktuar të deltës, së bashku me individë që ai i njeh personalisht dhe që janë të përfshirë në ndërtime të vogla të paligjshme.
Por edhe pse Vjosa u shpall Parku i Parë Kombëtar i Lumit të Egër në Evropë vetëm në vitin 2023, zhvillimi paralel i Kushnerit në këtë zonë do të zhdukë si vezët e flamingove ashtu edhe kasollet buzë bregut. Dhoma për një numër të përllogaritur prej njëzet deri në tridhjetë mijë turistësh do të mbulojnë lagunat, së bashku me një kazino në stilin “Monte Carlo i vogël” në një gadishull aty pranë. Afër, ndërtimi është afër përfundimit për atë që Rama e quan aeroportin më të madh në Ballkan, i cili do të përpunojë 750 mijë vizitorë në vit dhe do të ofrojë madje fluturime direkte për në Shtetet e Bashkuara. Xhaho paralajmëron se trafiku ajror hyrës do të ndërhyjë në jetën e pasur të shpendëve të zonës, por e pranon se këto ankesa nuk ka gjasa të ndalojnë investitorët: “[Kushneri dhe Trumpi] vijnë me helikopter dhe ikin po ashtu, sepse nuk duan të përballen me njerëzit e zakonshëm,” thotë ai.
Bum turistik – për kë?
Turizmi është kthyer në biznes të madh në Shqipërinë post-komuniste, e cila në vitin 2024 priti gati 12 milionë vizitorë, katërfishin e popullsisë së saj. Investimet nga diaspora kanë sjellë zhvillim, por edhe plazhe të betonizuara, korrupsion të shfrenuar dhe kosto jete të papërballueshme. Shumica e vendasve mbijetojnë me remitanca dhe sezonin veror. Për Xhahën, “gjatë dhjetë viteve të fundit, Shqipëria ka ndryshu krejtësisht — por ka ndryshu më shumë në beton sesa në një drejtim pozitiv.”
Disa vendas do të përfitojnë nga investimi i Kushnerit. Arbëri, kapiten anijeje dhe udhërrëfyes, i cili thotë se ka shoqëruar përfaqësues të fondit të Kushnerit, e sheh situatën në mënyrë pozitive: “Krahasuar me para dhjetë vitesh, vendi është bërë i panjohshëm. Tash [Rama] po e çon në një nivel tjetër… Kjo zonë ishte bosh, mirë që po vjen investimi.”
Fshatrat moçalore brenda Deltës së Vjosës, ku pulat ende vrapojnë nëpër rrugë ndërsa kulla e kontrollit të aeroportit ngrihet sipër tyre, janë botë larg nga vizioni i Kushnerit. Xhaho thotë se qeveria e ka synuar me qëllim këtë zonë për zhvillim, pavarësisht se ka mbrojtje zyrtare, duke e ditur se banorët vendas, të varfër dhe të moshuar, nuk do të kishin gjasë të kundërshtonin planin: “Qeveria i ka lënë këto fshatra në harresë për vite të tëra, pa rrymë e pa ujë; kështu që vendasit ia shitën tokën për 15 euro për metër katror, me idenë se mund të bënin parkingje ose ndonjë aktivitet tjetër. Por tani toka është e rrethuar dhe ata do të detyrohen të largohen.” Një bari i moshuar nga një fshat fqinj kishte menduar gabimisht se do të mund t’i kulloste bagëtitë në pistën e aeroportit, por në vend të kësaj, po përzihet nga aty.
Nga ana e tij, Xhaho thotë se OJQ-ja ku punon nuk është kundër zhvillimit apo pranisë njerëzore në deltë në vetvete: “Babai im ishte peshkatar këtu për 35 vjet, deri kur kjo zonë u shpall zonë e mbrojtur — ata vetë e mbronin, nga zjarret dhe nga erozioni i tokës.” Por ai beson se zhvillimet e reja do të jenë resorte të mbyllura me pak vende pune për vendasit, ndërkohë që do të rrisin çmimet në nivele të papërballueshme dhe, në mënyrë të verbër, do të shkatërrojnë burimet natyrore të brishta që janë vetë arsyeja pse turistët vijnë aty.
Affinity – dhe përtej
Fshatrat e qeta dhe zonat për shpendë në Deltën e Vjosës duken si botë tjetër krahasuar me tmerrin e Rripit të Gazës. Megjithatë, ky zhvillim gjithashtu përshtatet me vizionin strategjik të Trumpit për rajonin lindor të Mesdheut – nga Vlora, përmes qindra milje det, deri në qytetin e Gazës.
Ishte vetë Kushneri ai që propozoi për herë të parë idenë e pabesueshme për të zhvilluar “pronën shumë të vlefshme bregdetare” të Gazës, të pastruar etnikisht, pas deportimit të banorëve që kishin mbetur gjallë. Affinity Partners, e cila ka marrë miliarda nga Arabia Saudite, Katari dhe Abu Dhabi, dhe që tashmë po investon fuqishëm në Bregun Perëndimor të pushtuar, mund ta trajtojë kështu Sazanin si një “provë gjenerale” për planet e saj në një Gazë të pas-gjenocidit, nën administrim izraelit. Madje media izraelite për një kohë të shkurtër përhapi thashetheme se dhjetë mijë palestinezë nga Gaza do të zhvendoseshin në Shqipëri.
Ndërkohë që Rama i mohoi këto zëra, ai ka ndërtuar gradualisht një aleancë të fortë me Izraelin në një botë myslimane që në përgjithësi i është armiqësuar këtij shteti. Ai ka hedhur poshtë qasjen e regjimit të Hoxhës që e quante Izraelin “djalli i vogël”, ndërsa ka vënë në pah trashëgiminë krenare të Shqipërisë për strehimin e hebrenjve gjatë Holokaustit. “Shqipëria tradicionalisht ka qenë një përkrahëse e palëkundur e politikës së jashtme amerikane, pavarësisht kush është në pushtet,” thotë Alfred Bushi, aktivist nga opozita e majtë Lëvizja Bashkë, duke përmendur si “njollë turpi” refuzimin e qeverisë shqiptare për të votuar për armëpushim në Gaza në OKB. Në shenjë falënderimi për këtë përkrahje të vazhdueshme, Rama së fundmi mori çmimin më të lartë civil të Izraelit. Rabini kryesor i Shqipërisë, Yoel Kaplan, është oficer në Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) dhe është parë duke udhëhequr trupa në lutje, duke festuar shkatërrimin e Gazës.
Ndërkohë që porte të tjera refuzojnë të përpunojnë armë të ushtrisë izraelite, bregdeti shqiptar mbetet i hapur për biznes. Ky shtet i vogël është furnizuesi i katërt më i madh në botë i naftës së rëndësishme për Izraelin. Të dy vendet po thellojnë marrëdhëniet në fushën e sigurisë kibernetike dhe eksportit të mbrojtjes. Projekte si investimi i ambasadës izraelite në një kopsht lokal, apo Java e Kulturës Izraelite në Tiranë, shërbejnë për të bardhuar (whitewash) gjenocidin izraelit në Gaza. Fluturimet e reja direkte midis Tiranës dhe Tel Avivit, si dhe dy muze të rinj që festojnë trashëgiminë hebraike në Shqipëri, pritet të rrisin edhe më shumë lidhjet turistike ndërmjet dy vendeve. “Kur Izraeli përfshihet në një kopsht fëmijësh, në një spital, në projekte të mbrojtjes apo të inteligjencës artificiale, kjo më shqetëson thellë, si shqiptare,” thotë aktivistja lokale Fioralba Duma, e cila ka qenë e angazhuar në kundërshtimin e ndikimit izraelit në Shqipëri. “Kjo është një politikë e rrezikshme e bardhimit të krimeve.”
Kompleksi i kultit dhe mikro-shteti pro-izraelit
Një aspekt veçanërisht befasues i këtij bashkëpunimi është ofrimi nga Rama i territorit shqiptar si bazë për Perëndimin kundër Iranit. Për një dekadë tashmë, Shqipëria ka strehuar disa mijëra anëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK) – një grup opozitar i çuditshëm që ka kaluar dekada në ekzil, duke u bërë gjithnjë e më i pafuqishëm, paranojak dhe i shkëputur nga realitetet e Iranit të sotëm. Nga viti 2013 deri më 2016, Shtetet e Bashkuara i transferuan anëtarët e MEK-ut nga një kamp i mbyllur në Irak në një tjetër në bregdetin shqiptar, ku ata vizitohen herë pas here nga figura të larta të sigurisë dhe politikës amerikane – përfshirë rrethin e administratës Trump – që vazhdojnë ta përgatisin këtë grup për aksione të mundshme ushtarake ndaj Iranit. (Në vitin 2022, Shqipëria dëboi tërë ambasadën iraniane pas akuzave për disa sulme kibernetike të orkestruara ndaj vendit.)
Por Rama nuk u mjaftua me këtë gjest të jashtëzakonshëm « mirëbesimi ». Në vitin 2024, ai e tejkaloi veten duke prezentuar idenë për krijimin e një mikro-shteti të pavarur, mysliman dhe pro-izraelit. Urdhri fetar i vjetër bektashi, që i përket traditave si sunite ashtu edhe shiite, ka miliona ndjekës, kryesisht në Turqi, dhe selinë e vet qendrore në Shqipëri. Të nxitur nga Shtetet e Bashkuara, udhëheqësit bektashinj janë larguar nga lidhjet e mëhershme me Teheranin dhe janë afruar gjithnjë e më shumë me sferën e ndikimit izraelit. Vizita të ndërsjella, shkëmbime dekoratash, deklarata publike të mbështetjes për Izraelin dhe plane për projekte të përbashkëta ekonomike pasuan – duke kulmuar me mikpritjen entuziaste që bektashinjtë i bënë presidentit izraelit Isaac Herzog si mysafir nderi, pikërisht në kulmin e gjenocidit në Gaza.
Si shpërblim, Rama shpalli në mënyrë të njëanshme krijimin e atë që do të ishte shteti më i vogël në botë, të modeluar sipas Qytetit të Vatikanit dhe fizikisht të vendosur brenda selisë qendrore të bektashinjve në Tiranë. “Krijimi i një shteti është shumë problematik nga aspekti i së drejtës ndërkombëtare,” thotë aktivistja Duma. “Imagjinoje – ushtarë izraelitë të kërkuar për krime gjenocidi mund të udhëtojnë aty dhe të jenë të sigurt nga ekstradimi.” Pavarësisht se si do të përfundojë kjo çështje, Tel Avivi vazhdon të përfitojë, pasi udhëheqësit bektashinj refuzojnë me kokëfortësi të dënojnë gjenocidin në Gaza, dhe vazhdojnë të shfaqen publikisht përkrah rabinit shqiptar Kaplan, përkrahës i IDF-it dhe i politikave ushtarake izraelite.
Sovraniteti në shitje
Qoftë fjala për shtetin bektashi, kompleksin e MEK-ut apo ishullin e Sazanit, sovraniteti dhe territori shqiptar janë në ankand. Së fundmi, Rama fitoi mandatin e katërt radhazi në zgjedhje, duke hedhur poshtë akuzat e opozitës për manipulime elektorale, ndërkohë që premtonte anëtarësim në Bashkimin Evropian deri më 2030 dhe integrim të mëtejshëm me Perëndimin.
Në praktikë, kjo nënkupton ndërtimin e marrëdhënieve të ngushta me Trumpin dhe Netanyahun – por edhe me figura si Giorgia Meloni në Itali, e cila së fundmi ndërmjetësoi një marrëveshje kontroverse prej 653 milionë dollarësh për ngritjen e qendrave të ndalimit të migrantëve jashtë bregut shqiptar. Marrëveshje të ngjashme janë duke u zhvilluar në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Vlen të theksohet se Affinity Partners e Kushnerit është aktualisht e përfshirë edhe në një projekt po aq kontrovers për ta kthyer një zonë në qendër të Beogradit – ku ndodhet një përmendore për viktimat e bombardimeve të NATO-s ndaj Jugosllavisë – në një tjetër projekt luksoz prej 500 milionë dollarësh.
Në gjithë Ballkanin, “integrimi” perëndimor i ofruar po kthehet në një rrjet interesash biznesi, që lidh liderët autoritarë rajonalë me populistët e djathtë globalë, teksa përfitojnë nga investime pa taksa ose blejnë ndikim gjeopolitik me pak para. Për Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë evropiane, “më shumë rëndësi ka një qeveri shqiptare e nënshtruar, që i shërben interesave të tyre politike dhe ekonomike, sesa ekzistenca e një shteti demokratik të qeverisur nga sundimi i ligjit”, thotë Alfred Bushi.
Kur presidenti izraelit Herzog ia dha Ramës çmimin më të lartë civil të Izraelit, ai tha se mbështetja e palëkundur e Ramës mishëronte vlerën shqiptare të “besës” – një kod nderi që thekson besnikërinë dhe mikpritjen ndaj të huajve. Asnjëri nuk përmendi palestinezët që po dëboheshin nga shtëpitë e tyre në atë moment.

