Ia kushtoj këtë artikull prostitutës së ardhshme të jetës sime.
“Gjithë ç’është shkruar prej burrash mbi gratë duhet të jetë e dyshimtë, sepse janë njëherësh gjyqtarë dhe palë.” François Poullain de la Barre
Pjesa e parë : Kushtëzimi
Hyrje
I kapa një ditë prindët e mi duke u zënë. Prej disa ditësh ishin kthyer prej pushimeve të tyre në Shqipëri dhe babai im e qortonte nënën se paskësh folur e bërë hajgare tepër gjatë me një të panjohur. Duke më parë tek vija, babai vazhdoi ligjëratën para nënës sime. Pastaj u kthye nga unë dhe më pyeti : “Aq më tepër që isha aty! Ç’do të kishte bërë po të mos isha ?” Iu përgjigja prerë : “E qeshtu është kur ta marrish një kurvë për grue”. Syshqyer babai u hesht, ndërsa nëna shpërtheu në të qeshura. E megjithatë një ndjenjë bezdie e ndoshta turpi më pushtoi ; sapo e kisha trajtuar tërthorazi nënën time si “kurvë”. Ky mendim u zhbë shpejt sepse në realitet kisha shtuar veç një fjalë në atë ç’ka linte të kuptohej babai.
Tjetri
Fjala “kurvë” në frengjisht është “pute”1. Eshtë term që shpesh përdoret për të shenjuar një vajzë me sjellje të këqija, por në disa shqiptarë merr një karakter më të dykuptimtë se kudo gjetkë. Në fakt, një vajzë e re që merr lirinë e frekuenton një djalë shihet si kurvë. Pavarësia ekonomike dhe liria janë për ta karakteri normal i prostitutës. Në fakt, në këtë periudhë tranzicioni që jetojnë shqiptarët, pjesa më e madhe e të rejave merren për “kurva”. Përse do të bënte përjashtim nëna ime? Prostituta është një individ që pranon të kryejë marrëdhënie seksuale kundrejt një shpërblimi. E meqë nëna shqiptare nuk e kryen këtë zanat, ajo nuk mund të mendohet si e tillë, kështu më është thënë. Mirëpo as këto vajza që shqiptarët i marrin për kurva nuk e bëjnë këtë zanat. Po cilët janë këta shqiptarë? Situata politike, shoqërore dhe ekonomike e shqiptarëve nuk është më ajo e njëzet vjetëve më parë. Kështu që është shumë e guximshme të përkufizosh saktësisht këta shqiptarë dhe të nxjerrësh në pah një lloj karakteri të tyre ; mes atyre të Shqipërisë, atyre të Kosovës, atyre të Maqedonisë apo atyre të mërgatës; mes krahinave të ndryshme; feve të ndryshme; apo dhe mes mjedisit urban dhe rural. Gjithsesi, nga ky capharnaum del një konstante : vendi i gruas e ka zor t’i shpëtojë besimeve primitive shqiptare.
Për Simone de Beauvoir, gruaja shihet prej burrit si një qenie thelbësisht e seksuar. Ndërsa burri përkufizohet si Njeri, gruaja përcaktohet dhe dallohet në lidhje me burrin dhe jo ky në lidhje me gruan. Burri është thelbësor, ai është Subjekti; gruaja është Tjetri2. Pra, nëse të rejat shqiptare merren për kurva, nëse përplasen te çka i themelon vetëm si seks, do të duhej të pranonim se ndodh e njëjta gjë me nënat shqiptare, që për hir të nënshtrimit të tyre marrin rolin e çka Simon e de Beauvoir e përkufizon si Tjetri. Madje, në essenë “Seksi i dytë” filozofja franceze rimerr citimin e Antonio Marros ku thuhet: “Mes atyre që shiten nëpërmjet prostitucionit dhe atyre që shiten nëpërmjet martesës, i vetmi dallim qëndron në çmimin dhe afatin e kontratës”3. Në të vërtetë nëna ime i është shitur nga familja e saj familjes së babait tim. Nuk ishte aq keq dhe më duhet t’ia dijë për nder gjyshërve për këtë marrëveshje. Sepse dhe nëse në fillesë ka qenë gabim, është ndrequr nga ardhja në botë e personit tim të shkëlqyer mashkullor; kjo gjë i justifikom sigurisht të tëra martesat e kushtëzuara dhe të detyruara mbi këtë dhé. Nëna ime nuk rezistoi, pasi gjatë gjithë fëmijërisë së saj u përgatit si shumica e grave shqiptare për ditën fatidike, për martesën. E po të ishte nëna shqiptare një prostitutë ? Për t’iu përgjigjur pyetjes do të shohim disa etapa të jetës së një gruaje shqiptare, e tillë nëna ime; që prej lindjes deri në rini, më pas në rolin e gruas së martuar e deri në ngjitjen e saj në statusin e epërm të nënës në shoqërinë patriarkale shqiptare.
Homogjeneiteti familjar
Për të kuptuar vendin e gruas në shoqërinë shqiptare duhet vëzhguar në elementin kryesor vektor të shoqërizimit që përbën familja. Sistemi familjar shqiptar është homogjen, domethënë i përbërë nga disa çifte brenda së njëjtës shtëpi. Patriarku ose zoti i shtëpisë është përfaqësuesi i autoritetit familjar. Bijtë dhe nipat e tij jetojnë po në këtë shtëpi me gratë e tyre. Ndarja e vëllezërve kryhet më së shpeshti pas vdekjes së patriarkut. Vatra shqiptare në mjedis rural është shpeshherë e tillë. Gratë e martuara brenda kësaj vatre do të shihen si të huaja: “mall i huaj”. Vetëm vajzat dhe mbesat e patriarkut konsiderohen si pjesë përbërëse e familjes, dhe ato deri ditën kur si nënat e tyre do të martohen në një grup tjetër.
Në familjet shqiptare fëmijët trajtohen si “të pjekur të reduktuar”4. U besohen, sipas seksit, detyra të përditshme që do të kushtëzojnë rolin e tyre në gjirin e familjes, por me të cilat ata janë identifikuar tashmë duke vëzhguar prindët e tyre. Trajta kryesore e statusit të gruas është: aftësia e tij për të kryer detyra shtëpiake dhe për t’u shërbyer atyre që zotërojnë një status hierarkik më të lartë se ajo. Në fakt, ka përgjithësisht dy hierarki në shoqërinë shqiptare, e vjetërsisë dhe e seksit. E dyta është me fuqishme se e para, gjë që do të thotë se një djalë i vogël pesë vjeçar gëzon një status më të lartë se gjyshja 60 vjeçare. Vajza shqiptare, që prej moshës së re, është e kushtëzuar të jetë në shërbim të burrave dhe të grave më të moshuara. Në këtë mënyrë, kur të martohet nuk do ta zbehë reputacionin e familjes ku është rritur, me qëllim që familja në fjalë kur të vijë koha, me një synim të lartë, të mund të blejë gra për bijtë e saj pranë asaj që shqiptarët e quajnë derë e mirë. Në adoleshencë mjedisi ushtron një ndikim të madh në këtë kushtëzim. Realisht adoleshentet dëgjojnë nga ana e grave më të moshuara: “Ti duhet të ndihmosh nënën tani, sepse ajo plaket.” Vajza e lehtëson punën e nënës, por asnjëherë nuk tregohet se përfituesit e kësaj ndihme janë meshkujt. Le t’i kthehemi kësaj pleqërie të parakohshme të nënës së familjes. Kjo simptomë bëhet më e dukshme kur djali i madh është në moshë martese, i propozohet të gjejë një grua që mund të ndihmojë nënën e tij sepse ajo po plaket. Nënat që i martojnë djemtë kanë përgjithësisht moshën nga 40 deri në 50 vjet. Që në këtë çast ato ndjejnë, disi në mënyrë mistike, t’u humbin forcat. Me sot me nesër heqin dorë nga disa prej detyrave që kryenin deri tanimë. Po si prostitutat që në moshën e pensionit, pasi nuk dijnë më ç’të bëjnë në të ardhmen, vendosin të bëjnë tutorin e të rejave; me administrimin dhe shfrytëzimin e një hordhie nusesh, domethënë prostituta me kohë të plotë të djemve të tyre. Le të shohim në lidhje me këtë çështje dy copëza të kodit zakonor shqiptar, Kanunit5.
“§22 Neni 9. Të drejtat e zonjës së shtëpisë: të drejtojë gratë e shtëpisë, t’i dërgojë për ujë, për dru, t’u çojnë për të ngrënë punëtorëve, të ujisin, të transportojnë plehun, të korrin, punojnë apo rrahin drithin”
“§23 Neni 9. E zojna e shtëpisë nuk gatuan, nuk shkon për ujë, nuk mbledh dru, nuk shkon të ujisë, të korrë, të rrahë drithin apo t’u çojë për të ngrënë punëtorëve.”
Pasardhësit
Më parë thamë se gratë shqiptare ishin të kushtëzuara të bëheshin amvisa të përkushtuara. E megithatë, cilësia themelore e gruas mbetet aftësia e saj për të dhënë fëmijë. “Vajza është një nuse e ardhshme, do të thotë potencialisht nënë, e destinuar megjithatë të sigurojë pasardhës të një fisnie të huaj” na thotë Albert Doja6. Në fakt, në kulturën shqiptare, martesa ka rezultat vetëm kur gruaja sjell në jetë një fëmijë të seksit mashkull; gruaja nuk është më nuse, ajo fiton këtej e tutje statusin e nënës. Madje, gratë shterpe konsiderohen si të papërmbushura; në raste të rralla, kur çifti nuk arrin të ketë fëmijë ndodh që burri të marrë një grua të dytë, ose dhe një të tretë, ndonjëherë pa i dhënë lirinë të parave, pasi askush s’ka ç’e do një grua që nuk pjell. Burri nuk mund të quhet përgjegjës për këtë mangësi; dhe nëse dhe pas një martese të tretë nuk ka fëmijë, ky rast do t’i atribuohet vullnetit të zotit. Për të nxitur ardhjen në jetë të një fëmije mashkull ekzistojnë rituale dhe bestytni të ndryshme që synojnë të largojnë fuqitë që janë kundër. Për shembull, kur nusja vjen në shtëpinë e burrit i afrohet një djalë i vogël me qëllim që ajo të lindë një djalë. Një ditë para natës së parë të martesës, në shtrat fusin një djalë të vogël po me synimin e lindjes së një fëmije mashkull7. Burrit të sapomartuar i përsëritet formula “U trashëgofshi !” që mban dëshirën e të pasurit të fëmijës mashkull. Para së gjithash lindja e meshkujve është ajo që festohet; ajo e vajzave njoftohet si rast nëpër cepa rrugësh. Po të lindë djalë i urohet jetë e gjatë dhe po të lindë vajzë ngushëllohemi duke thënë se “çika përkund djalin”8. Përfund kënaqemi që nëna i shpëtoi lindjes a thua se ngjizi djallin e Rozëmarisë9.
“Me pranu fëmijën femër, nga ana e babait merret për akt zemërgjerësie; gruaja hyn në këtë tip shoqërie sajë një faljeje që i jepet, dhe jo ligjshëm si mashkulli”10.
Ardhja në jetë e një vajze shihet shpesh si sinonim i fakeqësisë. Në jug të Shqipërisë, në Korçë, besohet se “moti u prish dhe nuk merr më zjarri në vatër, tjegullat e çatisë nxihen, gërshërëzat e trarët e shtëpisë çahen”11. Shqiptarë të tjerë mendojnë se mund ta parashikojnë gjininë e fëmijës; nëse nëna zbukurohet gjatë shtatzanisë, mendohet se do të lindë një mashkull, dhe nëse shtatzania jetohet keq, nëse nëna ka në fytyrë njolla, ky është lajmi i lindjes së një vajze. Vetë gratë shtatzëna parapëlqejnë të kenë në barkun e tyre djalë, gjë që shpie shpesh në rrethana shkatërrimtare. Në fakt, kur çifti mëson se cilit seks i përket fëmija mund të shkojë deri te ndalja e paligjshme e shtatzanisë. Nënat shqiptare nuk e njohin masën e dëmeve fizike që shkakton ndërprerja e shtatzanisë në fazë të vonë. Nën shtypjen shoqërore, këto nëna nuk janë të zonjat e trupit të tyre. Mund të shtrojmë pyetjen nëse trupi i prostitutave të vërteta u përket apo jo. Sepse nëse këto të fundit firmosin kontratë me mashkullin, gratë shqiptare e kanë bërë diçka të tillë që në lindje.
Sot, shqiptarët që kanë dy ose tre djem, nuk do të kenë më fëmijë më tej. Përkundrazi, numri i fëmijëve ndiqet më tej nëse të parët kanë qenë vajza. Kështu që në disa familje mund të gjesh disa vajza dhe një djalë, sigurisht më i vogli i tyre. E në raste të tjerë nuk kufizohemi vetëm me një trashgimtar mashkull, çifti dëshiron dy. Sepse mund t’i ndodhë ndonjë aksident fëmijës dhe të këputet vazhdimësia e breznive. Kështu që shmanget mundësia që dy vëllezërit të ndërmarrin njëherësh rreziqe nga frika se të dy mund të vdesin. Rasti i djalit të vetëm është po aq domethënës. Një djalë që ka katër motra, për shembull, do të konsiderohet si “djalë i vetëm”, djalë për hasret. Zakonisht është i përkëdhelur dhe i vëzhguar. I vetëm, ai është një fëmijë-mbret që siguron vazhdimësinë, ndërsa katër motrat dhe nëna i nënshtrohen me një përkushtim ekstrem. Përparësia është një organizim më i mirë i kujdesit që në përkundje të djalit të vetëm, natyrisht nëse nuk janë duke ndihmuar nënën e tyre në punët e shtëpisë. Edhe emri që u jepet vajzave shqiptare është tepër domethënës për zellin me të cilin kërkojmë vetëm ngjizjen e meshkujve. Kështu që emra si Shkurte, Fikirije, Nalije ekzistojnë sepse prindët besojnë në bestytninë sipas së cilës emri ndal lindjen më tej të fëmijëve të seksit femëror.
Në gjurmët e babait të tij – Agim Sulaj – 2006, vizatim me laps.
Pema e qumështit
Shqiptarët shquajnë dy fisni. Pema e gjakut ose fisnia e atit dhe pema e qumështit, ose fisnia e nënës. Nga ana e atit: halla, xhaxhai, axha ose mixha; nga ana e nënës: tezja dhe daja. Nëna shqiptare nuk është pra e huaj në shtëpinë e babait të saj, megjithatë nuk jeton më aty që prej martese, gjë që mund të krijojë grindje mes kunatash, pasi asnjë nga vatrat nuk u përket plotësisht. Shpesh gruaja e gjen mbarësinë, siç e kemi thënë më parë, kur patriarku vdes. Burri i saj ndahet nga vëllezërit dhe duke zotëruar shtëpinë e tij i vjen rradha të jetë ai vetë patriark. Kanuni shprehet prerë në lidhje më dallimin mes familjes së atit dhe asaj të nënës. Nëse, për shembull, vritet një grua, nuk duhet të hakmerret as biri dhe as burri i saj, por familja e lindjes, anëtarët e saj duhet ta pastrojnë nderin duke marrë gjak. Pra dhe në dhunë e vdekje nëna mbetet e huaj në shtëpi të saj.
“§57 Neni 28. Gruaja nuk bie në gjak. Gruaja ia transmeton gjakun prindëve të saj”.
Sa i takon vrasjes së gruas, një lloj zakoni e lehtësonte specifikisht këtë akt. Ky akt nuk është më në zbatim. Zbatohet për martesën kur vajza refuzon të martohet me burrin që i ka zgjedhur babai. Mjafton ky paragraf i Kanunit për të kuptuar përmasën :
“§43 Neni 17. Vajza nuk mund ta lërë djalin edhe nëse nuk i pëlqen. Nëse nuk do të rrijë me të, e kur prindët e mbështesin, ajo nuk do të martohet më për sa që ky është gjallë. […] po të ndodhë që vajza nuk do të shkojë me burrin që i është përcaktuar, do t’i jepet qoftë dhe me forcë atij së bashku me një fishek në pajë, që nëse ai sheh se ajo do të ikë e nëse e vret me fishekun e dhënë, gjaku i saj nuk mund të merret pasi është vrarë pikërisht me fishekun e familjes së saj.”
Madje, kur bashkimi zyrtarizohet, babai i vajzës i deklaron babait të dhëndrit: “Çika ime, robi yt”12. Nuk është një grua që po e shpiem në një treg, por një skllav, një seks, një kukull me ajër, një lavire e prerë për nënshtrim. Shtëpia e patriarkut shqiptar mund të konsiderohet fare mirë si një shtëpi publike që edukon amvisa dhe prostituta. E nëse nuk është kurvë, ç’mund të jetë gruaja në shtëpi? Kanuni na jep edhe këtu përgjigje:
« §44 nye 20. Grueja shqyptare farë trashigimit s’ka te prindja, as më plang, as në shpi. Kanuja e xen gruen si nji tepricë në shpi. »
Gruaja është pra një shtojcë. Desha ta konfirmojë kuptimin e kësaj fjale në Larousse dhe ja ç’gjeta: “Çka ia shtojmë diçkaje tashmë të konsideruar si e plotë”. Kur e mësova një gjë të tillë i sugjerova babait tim – me qëllimin e vetëm që të mbahet gjallë vlaga mes tij e nënës sime, ç’them kështu, më saktë vullkani që justifikon reciprokisht ekzistencën e tyre të përbashkët – ta thërrasë nënën herë pas here: “Shtojca ime e vogël”, apo dhe “kremi im i vogël”. Më pas iu ktheva propozimit të dytë sepse, edhe pse romantik, ka mundësi të fyejë pastiçierët që e konsiderojnë kremin si përbërës thelbësor për ëmbëlsirat e tyre. Çka ma tërhoqi vëmendjen është karakteri tragjikomik i fjalës shtojcë. Gjithsesi ju e vini re që gruaja nuk prek asnjë trashëgimi, gjë që është e natyrshme sepse ajo vetë është pjesë e trashëgimisë, ajo është pasuri e shitur nga një familje në një tjetër. Një pasuri trashëgohet dhe për pasojë nuk mund të jetë subjekt i asnjë trashëgimie. Vajza është barrë; për babanë, të ketë vajzë do të thotë ketë humbur llotarinë, do të thotë të jetë i sigurt se e ka humbur investimin. Çmimi i pajës që ai merr nga krushqia është i rendit të rastësores, në fakt është diçka që i ngjan një shpërblimi për babanë pasi nuk po ia heqim vajzën falas. Pra, po e falënderojmë se ka rritur për së mbari vajzën, si amvisë të mirë dhe si prostitutë që do të përfshihet më së miri në tregun e prostitucionit, pasi e tillë është shoqëria shqiptare për sa i takon femrës. Dhe sot, nëse prindët e shtyjnë vajzën drejt studimeve të gjata, kjo bëhet që ajo të ngjitet pas një modeli të menduar si modern dhe perëndimor, dhe jo thjesht si udhë drejt emancipimit dhe pavarësisë ekonomike. Kemi paradoks mes asaj që presin prindët prej tyre, si vajza dhe si nëna të ardhshme të familjes.
Martesa
Thamë se martesa është element thelbësor që siguron vazhdimësinë e breznive. Ja ç’na thotë Kanuni:
« §28 nye 11. M’u marte më kanun do’ me thanë m’u ba shpi, me i shtue shpis nji rob ma teper, sa per krah të punve, sa per të shtuem të fmive13. »
Martesa ka një rol kyç tek shqiptarët. Ende sot gjendet në zemër të shumë diskutimeve familjare ku njerëzit ndjejnë si detyrë sipërore të nisen në kërkim të nuses ideale pranë ndonjë dere të mirë. Gratë merren si në panair, si në Pazar, ku rolin më të mirë prej vëzhguesi dhe hetuesi në bordellet familjare fqinje, në kërkim të ndonjë pjelloreje dhe virgjëreshe, e bëjnë motrat dhe kushërirat. Kanunin është i prerë në lidhje me martesën. Përcakton të drejtat dhe detyrat e burrit dhe gruas, harton procedurën e fejesës, përgatitjet e dasmës dhe organizimin e marrjes së nuses. Sot është kortezhi i veturave ai që shkon e merr nusen. Edhe pse Kanuni nuk e ndalon rëmbimin, forma që merr kortezhi, veçanërisht fakti që udha e kthimit nuk duhet të jetë e njëjtë me atë të vajtjes, lë të besosh se marrja e nuses është simulakra e rëmbimit me origjinë në një traditë të lashtë. Kjo tezë është mbrojtur nga historiani dhe gjuhëtari shqiptar Eqerem Çabej, nga romancieri Ismail Kadare, por dhe nga Simone de Beauvoir14 : “Dasma primitive bazohet ndonjëherë në rrëmbimin, e vërtetë ose simbolik: sepse dhuna e kryer mbi tjetrin është afirmimi më i qartë i tjetërsisë së tij.15” Nuset e reja që jetonin deri tani nën kllapën e babait u jepen si pako floriri e fshehur, falë karakterit të shenjtë të dasmës, për të jetuar këtej e tutje nën kllapën e burrit të tyre. Për më tepër, shkesi, pra ai që u ka lejuar të dy familjeve të merren vesh, nëse martesa kryhet, merr nga ana e babait të burrit shpërblim16. Trafiku monetar i krijuar nga martesat dhe nga të prurat ekonomike i kanë hapur udhë një tregu financiar sigurisht shumë më të lartë se ai i prostitucionit. Mjaft të shohësh për këtë gjë koston e investuar nga ana e shqiptarëve për të martuar bijtë e tyre – mes 20 000 dhe 30 000 euro. Mjaft të shohësh dhe në Kosovë sallat e bujshme kubike e kiç për festat madhështore, të ndërtuara këto dhjet vitet e fundit që nuk i vlejnë asnjë përdorimi tjetër veçse banketeve të dasmave.
Të rinjtë shqiptarë pësojnë shtypje nga ana e familjeve të tyre që të martohen. Baballarët këmbëngulin më shumë se nënat që djemtë të shkojnë e të gjejnë nuse. “Kur do mendosh të gjesh nuse ?”, “Gjej nuse që të kujdeset për pleqtë e tu ?”. Ka plot formula të tjera, por kjo e fundit duket më interesantja. Babai shqiptar kurrë nuk e pati lirinë ta zgjedhë gruan e vet, përkundrazi, ai zotëron lirinë të zgjedhë gruan e djalit. I fshehur pas marrëdhënies së nënshtrimit që e lidh me nusen, ai do të ketë kënaqësinë e dukshme ta shohë tek lëviz para tij, ndoshta ndonjë çast një fiksim imazhi mbi të pasmet e saj. A mos vallë duhet të ndjejmë ndonjë lloj marrëdhënieje seksuale me delegim tek djali, mes atit dhe nuses ?
– Tekst i përkthyer prej frëngjishtes nga Elvis Hoxha. –
E po të ishte nëna shqiptare prostitutë ? (2/2)