Beteja për territorin shqiptar : çfarë zbulon « Revolucioni i flamingove »

Nga KASh 26 qer. 2026 Shqip

Gjatë një proteste në Tiranë, qershor 2026. Foto: Erisa Kryeziu.

Tashmë prej disa javësh, mediat evropiane po transmetojnë rregullisht pamje nga Shqipëria, zakonisht vend që mungon në shtypin perëndimor: shihen mijëra protestues e protestuese me flamuj ose pankarta në duar, në rrugët e Tiranës dhe në qytete të tjera. Ata/ato mblidhen pa pushim që nga 30 maji 2026 kundër projekteve turistike të parashikuara në Zvërnec, pranë lagunës së Nartës, si dhe në ishullin e Sazanit. Përtej çështjeve ekologjike, telat me gjemba të vendosur në bregdet, pas të cilëve shtyhen militantët/et, janë kthyer për popullsinë në simbolin e një çështjeje të madhe politike: atë të shpronësimit progresiv të territorit dhe të së ardhmes së tij.

Ne propozojmë t’u kthehemi këtyre ngjarjeve të fundit dhe të rigjurmojmë kronologjinë e tyre. Më thelbësisht, duam të tregojmë se mobilizimi aktual e tejkalon shumë mbrojtjen e thjeshtë të mjedisit: ai nxjerr në pah tensionet madhore që përshkojnë ende Shqipërinë bashkëkohore rreth çështjeve të sovranitetit territorial dhe të drejtës më të gjerë të popullsisë për të zotëruar veten.

Për të kuptuar këto konflikte dhe pikat e mundshme të këputjes, është e nevojshme të shqyrtohen shkaqet e tyre — veçanërisht ndërthurja e interesave midis investitorëve të huaj, oligarkëve, pronarëve vendorë të tokës dhe përgjegjësve politikë, që çon në shndërrimin gradual të territorit në mall. Me fjalë të tjera, synojmë të vëmë në dukje natyrën kapitaliste, neoliberale dhe imperialiste të mekanizmave të kombinuar që sjellin mohimin demokratik kundër të cilit po ngrihet aktualisht populli shqiptar.

Kronologjia e lëvizjes kundërshtuese

Gjithçka nis më 15 mars 2024, kur Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump, publikon në llogarinë e tij në Instagram imazhe të sintetizuara që paraqesin disa projekte luksoze turistike në Shqipëri. Më 16 janar 2025, agjencia Reuters zbulon se Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, ka lidhur një marrëveshje të vlerësuar në 1,4 miliardë dollarë me shoqërinë Atlantic Incubation Partners LLC, e lidhur me Affinity Partners, për të zhvilluar një kompleks të madh hotelerie në ishullin e Sazanit [1].

I vendosur në hyrje të gjirit të Vlorës, Sazani është ishulli më i madh i Shqipërisë. I mbyllur gjatë për publikun, ai shërbeu si bazë ushtarake strategjike nën regjimin e Enver Hoxhës. Pas rënies së këtij të fundit, izolimi i zgjatur i Sazanit ndihmoi në ruajtjen e peizazheve dhe biodiversitetit të tij të shquar, ndërkohë që urbanizimi transformonte një pjesë të madhe të bregdetit shqiptar që prej viteve të 90-ta.

Edhe pse zbulimet mbi Sazanin vepruan si katalizator, ato nuk janë të vetmet që ushqejnë një kundërshti të gjerë. Në bregdetin e Vlorës, në rajonin e Zvërnecit dhe Nartës, po merr formë një tjetër projekt i madh turistik. Ai parashikon veçanërisht ndërtimin e mijëra vilave, apartamenteve, hoteleve dhe infrastrukturave turistike mbi disa qindra hektarë pranë njërit prej ekosistemeve më të rëndësishme të Shqipërisë. Në zonë janë vëzhguar qindra lloje të ndryshme shpendësh, një pjesë e të cilëve vendosen atje për të dimëruar — për shembull, flamingoja rozë. Ky i fundit është bërë njëkohësisht simbol i pasurisë ekologjike të vendit dhe i brishtësisë së tij përballë projekteve turistike, aq sa është përvetësuar si stemë e lëvizjes së kundërshtimit. Termi «Revolucion i flamingove rozë» (Revolucioni i flamingove) është imponuar kështu gradualisht te protestuesit për të emërtuar mobilizimin.

Flamingot në lagunën e Nartës, qershor 2020. Foto: Arian Mavriqi.

Në fund të prillit 2026, punimet e para fillojnë në zonën e Pishë Poros dhe Portonovos. Buldozerët hyjnë në vendin deri atëherë të qasshëm për publikun, ndërsa vendosen rrjeta teli dhe tela me gjemba. Më 23 maj, banorë/e dhe militantë/e ekologjistë mblidhen për herë të parë pranë lagunës së Nartës për të protestuar kundër gardheve të ngritura rreth plazhit të Pishë Poros.

Një javë më vonë, më 30 maj, një manifestim i ri zhvillohet pranë vend punishtes të Portonovos. Përplasjet shpërthejnë atëherë midis protestuesve dhe agjentëve të sigurisë private të cilëve u është dhënë detyra për të mbrojtur vend punishten e ardhshme. Imazhet e këtyre incidenteve qarkullojnë shpejt në rrjetet sociale dhe shkaktojnë një valë indinjate në të gjithë vendin.

Në ditët në vijim, mijëra njerëz zbresin në rrugët e Tiranës si dhe në disa qytete të mëdha të Shqipërisë për të kërkuar braktisjen e projekteve në vazhdim, për të kërkuar një mbrojtje ligjore të përforcuar të territorit dhe për të thirrur dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Telat me gjemba që ringjallin kujtime të vjetra

Nëse kundërshtarët/et e projekteve të Zvërnecit dhe Sazanit denoncojnë shkatërrimin e hapësirave natyrore të mbrojtura dhe privatizimin e bregdetit, zemërimi i shprehur këto javët e fundit nuk përmblidhet vetëm te shqetësimet mjedisore. Për të kapur shkakun e kundërshtimit dhe përmasat e tij, është e nevojshme të skicohet historia e popullit shqiptar. Prej më shumë se një shekulli, çështja e vetëvendosjes së tij është në qendër të shqetësimeve të tij: qoftë si projekt popullor, qoftë si projekt i elitave vendore, ajo është negociuar, madje mohuar në mënyrë të përsëritur, çka ka ndikuar thellësisht ndërgjegjet politike dhe historiografinë kombëtare.

Në vitin 1913, në Konferencën e Londrës, fuqitë e mëdha evropiane njohin pavarësinë e Shqipërisë dhe caktojnë kufijtë e vendit. Një pjesë e konsiderueshme e popullsive shqiptare mbetet atëherë jashtë shtetit të ri. Kosova i atribuohet Serbisë, ndërsa territore të tjera i bashkëngjiten Malit të Zi ose Greqisë. Pavarësia lind kështu nga një paradoks politik: ai i një shteti më në fund të njohur nga kombet me ndikim, por të amputuar nga një pjesë e rëndësishme e popullsisë që duhej të bashkohej. 

Për më tepër, ky shtet shqiptar i sapopavarur vihet atëherë nën autoritetin e një princi të huaj, Guillaume de Wied, i caktuar nga fuqitë evropiane më 1914. Kjo vënie nën kujdestari vazhdon gjatë shekullit XX, territoret me shumicë shqiptare duke vazhduar të pësojnë ndikime dhe forma të shumta dominimi të jashtëm: pushtime ushtarake, ndërhyrje të fuqive të mëdha, kujdestari politike ose ekonomike, etj.

Natyrisht, projektet turistike të Zvërnecit dhe Sazanit ndryshojnë ndjeshëm nga këto sekuenca historike. Por imazhet e telave me gjemba, të milicive private dhe të plazheve të mbyllura për publikun ringjallin një kujtesë kolektive të mbajtur nga një historiografi e rrënjosur thellë. Në të vërtetë, në rrëfimin kombëtar shqiptar, motivi i një populli të vogël elastik përballë shekujve dominimi të huaj është qendror; identiteti i shqiptarëve do t’u kishte mbijetuar kështu perandorive romake, bizantine, osmane, luftërave ballkanike, pushtimeve fashiste dhe naziste të shekullit XX dhe, më së fundmi, politikave të spastrimit etnik të kryera në Kosovë.

Ngjarjet e fundit i shtohen këtij narracioni të gjatë. Për një pjesë të opinionit publik, pyetja themelore e fatit politik të shqiptarëve/eve shtrohet sërish, në një formë të re: kush vendos për të ardhmen e territorit? Deri në rënien e perandorive koloniale dhe hyrjen në neokolonializëm, dominimi i huaj shfaqet — dhe ushtrohet pjesërisht — me anë të armëve.

Sot, imperializmi përdor rrugët më pak të dukshme të tregjeve, investimeve, projekteve të mëdha të infrastrukturës private dhe marrëveshjeve midis qeverive dhe korporatave të mëdha. Mekanizmat kanë ndryshuar pa dyshim, por ngjarjet e fundit zbulojnë nga njëra anë aftësinë dalluese të një popullsie përballë kësaj rikonfigurimi të dominimit imperialist dhe, nga ana tjetër, frikën e saj për të humbur të drejtën e vetëvendosjes. Për shumë protestues/e, telat me gjemba nuk simbolizojnë vetëm mbylljen e një plazhi; ata ringjallin një traumë kolektive, të transmetuar brez pas brezi, ende të dhimbshme.

Në këtë drejtim, duhet shtuar se mobilizimet aktuale në Shqipëri nuk ndjekin një vijë të vetme politike. Aty gjenden orientime dhe ndjeshmëri shumë heterogjene: ekologjistë, militantë të majtë, qytetarë pa përkatësi të veçantë politike, por edhe nacionalistë të rrymave më tradicionale. Kjo laramani shpjegohet pikërisht nga ngarkesa historike simbolike që mban çështja e territorit në ndërgjegjet dhe historiografinë shqiptare. Nacionalizmi shqiptar nuk është një nacionalizëm imperialist, por një nacionalizëm rezistence, lufte antikoloniale dhe vetëvendosjeje. Origjina e tij nuk i pakëson as kontradiktat politike, as dhunën që mund të ketë prodhuar. Megjithatë, kjo marrëdhënie ideologjike me kombin lejon të kuptohet pse mbrojtja e një lagune, e një ishulli ose e një plazhi mund të mobilizojë sot shumë përtej qarqeve ekologjiste — një aderim që mund të habisë nga këndvështrimi i Evropës Perëndimore.

Foto e realizuar gjatë tubimit të grupit «Shpëtoni Vlorën», 25 maj 2026.

Një logjikë e shpronësimit neoliberal

Megjithatë, vend punishtet e parashikuara për Zvërnecin dhe Sazanin nuk janë projekte të izoluara. Që nga rënia e regjimit stalinist, një pjesë e bregdetit, e tokave bujqësore dhe e burimeve natyrore të vendit i është lëshuar gradualisht interesave private. Këto vendime janë marrë pa konsultim të vërtetë popullor, shpesh në dobi të një pakice investitorësh vendorë ose të huaj. Dinamika neoliberale është përshpejtuar nën qeverinë e Edi Ramës, i cili e ka bërë tërheqjen e investimeve të huaja dhe zhvillimin turistik një nga shtyllat e strategjisë së tij ekonomike. Për mbështetësit e tij, kjo politikë përbën një mjet për të modernizuar vendin dhe për të favorizuar integrimin e tij evropian. Në fakt, ajo është përkthyer kryesisht në një përqendrim të shtuar të pasurive në duart e një pakice, në forcimin e pushtetit politik të oligarkëve shqiptarë dhe në shndërrimin gradual të territorit në mall të vënë në ankand në dobi të investitorëve më të pasur.

Politika e zhvillimit e konceptuar nga Rama është konkretizuar gradualisht gjatë viteve të fundit. Që nga miratimi i ligjit për investimet strategjike në vitin 2015, disa milionë metra katrorë toka publike ose gjysmëpublike janë vënë në dispozicion të investitorëve privatë [2]. Sipas një hetimi të Citizens.al, afro 5,8 milionë metra katrorë u ishin atribuar tashmë investitorëve strategjikë në vitin 2023, një pjesë e rëndësishme e të cilave në bregdet. [3]  Së fundmi, qeveria shqiptare paraqiti një portofol me 83 projekte prioritare të lidhura me turizmin dhe zhvillimin e infrastrukturave që synojnë të tërheqin kapitalet e huaja [4]. Këto të dhëna tregojnë se industria turistike nuk përbën një projekt dytësor të qeverisë. Përkundrazi, ajo përfaqëson një nga shtyllat e modelit ekonomik të vendosur prej disa vitesh. Në fakt, turizmi do të përfaqësonte rreth 26 % të PBB-së, duke përfshirë efektet e tij indirekte [5]. Për protestuesit/et, telat me gjemba të Zvërnecit nuk materializojnë thjesht një mohim demokratik, por janë shprehja e prekshme e një modeli të tërë zhvillimi, të bazuar thelbësisht mbi privatizimin e domenit publik.

Lasciatemi cantare…

Duhet saktësuar gjithashtu se, edhe kur nuk i shitet me çmim të ulët kapitalit privat, territori shqiptar është një burim i braktisur me dëshirë kundrejt çdo kompensimi ekonomik, qoftë edhe indirekt. Kështu, në vitin 2023, Edi Rama dhe Giorgia Meloni, kryeministrja italiane e ekstremit të djathtë, lidhin një marrëveshje për ndërtimin e një kampi refugjatësh në Gjadër, pranë bregut në veri të vendit [6]. Për qeverinë Meloni, bëhet fjalë për të rizhvendosur trajtimin e kërkesave të refugjatëve/eve jashtë territorit kombëtar, me kosto më të ulët; për Ramën, objektivi është të paraqesë qeverinë shqiptare si një partner të sigurt në menaxhimin e krizës migratore, me qëllim lehtësimin e procesit të integrimit në BE. Ai pret nga një integrim i tillë efekte të mëdha ekonomike: eksporte të rritura, investime të huaja të lehtësuara nga kuadri ligjor, ndihma ekonomike, etj.

Ashtu si planet e destinuara për Zvërnecin dhe Sazanin, ky projekt pretendon të forcojë në mënyrë indirekte zhvillimin ekonomik të vendit, duke përçmuar çdo proces vendimi demokratik mbi menaxhimin e territorit: populli shqiptar nuk ka mundur kurrë të shprehet mbi këtë politikë çnjerëzore që e shndërron tokën e tij në një burg të hapur të Frontex-it — Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare.

Kjo logjikë, për më tepër, nuk është e re. Prej më shumë se njëzet vjetësh, Shqipëria importon në mënyrë sporadike mbetje, kryesisht nga Italia, ndërkohë që has tashmë vështirësi të vërteta në menaxhimin e mbeturinave të veta [7]. Këtë e dëshmojnë depot e shumta të hapura që shpërndahen në territorin e saj. Rama, përpara mandatit të tij të parë, kishte premtuar t’i jepte fund marrëveshjeve publiko-private përgjegjëse për fenomenin. Më pas ai ndryshoi mendim; situata do të rregullohej vetëm në vitin 2022, pas kryerjes së një hetimi dhe paditjes së disa individëve dhe subjekteve publike për korrupsion. 

Së fundmi, qeveria ka vendosur një regjim fiskal veçanërisht të favorshëm për të tërhequr pensionistët evropianë, veçanërisht italianë, të përjashtuar nga taksat mbi pensionet e tyre kur vendosen në vend. Numri i tyre ka kaluar nga disa qindra në afro 3000 brenda pak vitesh [8]. Logjika mbetet e njëjtë: territori shqiptar shitet me çmim të ulët në dobi të shteteve të huaja, këtu anëtarë të BE-së, favoret politike të të cilëve synohen.

Kush e shet Shqipërinë ?

Kushner dhe Affinity Partners nuk kanë ardhur në një Shqipëri të virgjër; terreni u ishte përgatitur tashmë. Në fakt, do të ishte tepër e thjeshtë të përmblidhej çështja me të cilën përballet Shqipëria në një kundërvënie midis kapitalesh të huaja dhe interesave kombëtare. Projektet e mëdha turistike aktuale nuk janë dukuri të izoluara dhe rrjedhin nga një proces më i vjetër gjatë të cilit territori është përvetësuar gradualisht nga një mjegullnajë aktorësh vendorë: njerëz biznesi, spekulatorë, ndërmjetës të dyshimtë, figura të afërta me pushtetin dhe të pasur të rinj të shfaqur në kaosin e privatizimeve të viteve 90-ta.

Projekti mbulon një sipërfaqe të vlerësuar në 437 hektarë [9]. Prej tyre, 251 hektarë janë të prekur nga ndërtimet dhe mbahen kryesisht nga dy pronarë të mëdhenj tokash: Redi Struga, i cili zotëron 120 hektarë nëpërmjet shoqërive të tij (South Adriatic Development dhe Smart Construction Invest), si dhe Arthur Shehu, banues në Florida, të cilit i përkasin 110 hektarë [10]. Po ashtu, disa hetime nënvizojnë rolin që do të kishte luajtur Shefqet Kastrati — një nga oligarkët më të fuqishëm të Shqipërisë, në krye të grupit Kastrati — në zhvillimin e negociatave të lidhura me projektet [11].

Edi Rama, në shoqërinë e Ivanka Trump dhe Musa Kastratit, djalit të oligarkut Shefqet Kastrati, 22 janar 2026.

Kjo mjegullnajë interesash lejon njëkohësisht të lehtësohet ardhja e kapitalit të huaj dhe të fshihet përgjegjësia e aktorëve kryesorë të operacionit. Çështja e pronësisë së tokës është megjithatë krejtësisht qendrore. Kujt i përket territori i destinuar për projektet turistike të Zvërnecit dhe Sazanit? Disa pronarëve privatë, fondeve ndërkombëtare të investimit, apo kolektiviteteve vendore që e banojnë? Polemika aktuale e kapërcen, pra, çështjen e dëmit të drejtpërdrejtë të shkaktuar nga projekti i patundshmërisë. Ajo ka të bëjë me çështje sovraniteti, demokracie dhe menaxhimi të pasurive të përbashkëta të vendit.

Çfarë të ardhmeje për mobilizimin dhe për Shqipërinë ?

Çështja e Zvërnecit dhe e Sazanit zbulon ndërthurjen e interesave midis elitave ekonomike shqiptare, një pushteti politik neoliberal dhe investitorëve ndërkombëtarë në kërkim të hapësirave të reja për vleftësimin e kapitalit. Oligarkët vendorë furnizojnë tokat, qeveritë ndryshojnë ligjet dhe krijojnë kushtet e favorshme për projektet e parashikuara, ndërsa kapitalet e huaja sjellin financimet e nevojshme për vleftësimin tokësor të territorit. Në këtë sistem, qytetarët humbasin çdo kontroll mbi një pjesë të truallit të tyre pa u konsultuar kurrë dhe mjedisi bëhet një burim i thjeshtë, një aktiv vlera e të cilit matet nga aftësia e tij për të gjeneruar fitim.

Lenini shkruante se imperializmi përbën stadin suprem të kapitalizmit. Më shumë se një shekull më vonë, telat me gjemba në Shqipëri ofrojnë një ilustrim veçanërisht konkret të kësaj teze. Nuk janë më ushtritë që kërcënojnë Shqipërinë, por kapitalet që blejnë me çmim të ulët copa të bregdetit të saj. Dhuna nuk është zhdukur; ajo ushtrohet tani në forma të tjera, më delikate, diskrete, të shpërndara — ato të një mënyre zhvillimi të imponuar nga kapitalet e huaja në kurriz të popullit shqiptar. 

Megjithatë, manifestimet e këtyre javëve të fundit tregojnë se kjo dhunë kundërshtohet, hidhet poshtë. Pavarësisht diskurseve që ekzaltojnë zhvillimin dhe ndikimit të interesave ekonomikë në lojë, mijëra shqiptarë/e kanë parë forcat në veprim pas këtyre telave me gjemba si dhe çështjet që ngre situata. Ata/ato nuk kanë identifikuar vetëm një projekt turistik ekocidial, por edhe një manifestim të prekshëm të një mohimi të sovranitetit, demokracisë dhe kontrollit të territorit.

Në një konjukturë ndërkombëtare që nuk pushon së përsërituri se nuk do të ekzistonte alternativë ndaj kërkesave të kapitalit, tregjeve dhe investitorëve, protestuesit/et shqiptarë/e propozojnë një rrëfim tjetër: asnjë zhvillim nuk mund të konsiderohet legjitim kur ndërtohet kundër vullnetit të popullsive të prekura. Pas mbrojtjes së një lagune, një plazhi apo një ishulli, është në fund e drejta e popujve për të vendosur vetë të ardhmen e tyre ajo që është në lojë. Sfida qëndron tani në materializimin politik të kësaj lufte: në një vend pa një front të vërtetë të së majtës radikale përballë Partisë Socialiste të Ramës, si t’i drejtojmë këto kërkesa popullore drejt një politike të vërtetë antikapitaliste dhe antiimperialiste? Shqiptarët/et do të na e thonë.

*Shënim : Teksti origjinal u botua në frëngjisht në faqen marx21.ch më 16 qershor 2026.
Përkthimi i paraqitur këtu është ai i Kolektivit Antikapitalist Shqiptar.

https://www.youtube.com/watch?v=KQrm5BdeWNg

Shënime

[1] Reuters, « Albania approves luxury resort project linked to Jared Kushner’s company », Reuters, 16 janar 2025, konsultuar më 4 qershor 2026:https://www.reuters.com/business/albania-approves-luxury-resort-project-linked-jared-kushners-company-2025-01-16
[2] Citizens.al, « Betonizimi i Jugut: Ligji për Investimet Strategjike i dha 5.8 milion m² tokë kompanive afër qeverisë », Citizens.al, 9 gusht 2023, konsultuar më 5 qershor 2026: https://citizens.al/2023/08/09/betonizimi-i-jugut-ligji-per-investimet-strategjike-i-dha-5-8-milion-m2-toke-kompanive-afer-qeverise/ 
[3] Po aty.
[4] Ministria e Turizmit dhe Mjedisit e Republikës së Shqipërisë, « Shqipëria prezantohet me 83 projekte strategjike në MIPIM 2026 në Cannes përmes pavijonit “Soundscapes of Albania” », 11 mars 2026, konsultuar më 11 qershor 2026: https://mtks.gov.al/en/newsroom/shqiperia-prezantohet-me-83-projekte-strategjike-ne-mipim-2026-ne-cannes-permes-pavijonit-soundscapes-of-albania
[5] Albanian Daily News, « Tourism’s Contribution to Economy Up », 17 maj 2025, duke cituar të dhënat e World Travel & Tourism Council (WTTC), sipas të cilave turizmi përfaqëson 26,4 % të PBB-së shqiptare. Konsultuar më 11 qershor 2026: https://albaniandailynews.com/news/tourism-s-contribution-to-economy-up
[6] Reuters, « Italy to build sea migrant reception centres in Albania », Reuters, 6 nëntor 2023, konsultuar më 6 qershor 2026: https://www.reuters.com/world/europe/italy-build-sea-migrant-reception-centres-albania-2023-11-06/
[7] BIRN Albania, « Qeveria rikthen sërish importin e plehrave në Shqipëri », BIRN Albania, 12 tetor 2021, konsultuar më 8 qershor 2026: https://euroalbania.al/birn-qeveria-rikthen-serish-importin-e-plehrave-ne-shqiperi/
[8] Courrier international, « Ces retraités italiens qui passent leurs vieux jours en Albanie », sipas Corriere della Sera, 28 gusht 2024, konsultuar më 7 qershor 2026: https://www.courrierinternational.com/article/societe-ces-retraites-italiens-qui-passent-leurs-vieux-jours-en-albanie_228665
[9] Alba Mborja, « Zvërneci — çfarë fshihet pas fasadës së investimit të huaj? », 2 qershor 2026, konsultuar më 3 qershor 2026: https://exit.al/exit-shpjegon/zverneci-cfare-fshihet-pas-fasades-se-investimit-te-huaj-i80602
[10] Sipas informacioneve të përmbledhura nga Alba Mborja, pronësia tokësore e zonës së prekur nga projekti shpërndahet veçanërisht midis: Artur Shehu dhe familjes së tij (rreth 1,1 milion m²), Redi Struga nëpërmjet kompanisë South Adriatic Development (rreth 1,2 milion m²), Feriare Ndreu (Petritaj) (rreth 78 000 m²), kompanisë AM-Invest (rreth 25 000 m²) dhe kompanisë Ferdinant (rreth 95 000 m²). Disa nga këto prona janë ose kanë qenë objekt procedurash gjyqësore ose hetimesh lidhur me blerjen e tyre.
[11] Po aty.
Share This