Shqip
Ukshin Hoti

Gjatë qëndrimit tim shumëvjeçar në Krushë, të cilin shokët nga Prishtina (të Kryesisë së LDK) e quanin vetizolim, kisha pasur kohë të mjaftueshme të vëreja dukuri të çuditshme, prezentimi i të cilave besoj se do të ishte më rëndësi të madhe shoqërore. Qysh para vitit 1981 e kisha vënë re fenomenin e bijëve të "tatave" nëpër Prishtinë, por nuk e dija se ata mbështeteshin nga bijtë e "haxhi-babave" në fshat. Gjatë dekadës së shkuar kisha kujtuar se e kishim çrrënjosor oportunizmin në politikë, por nuk e kisha ditur se kjo dukuri i kishte pasur rrënjët kaq të thella.

Në realitetin politik dhe intelektual të Kosovës dukej se vazhdimisht diçka më pengonte, por nuk kisha ditur ta shpjegoja dhe as ta kuptoja në tërësi. Kishte qenë kjo e lidhur me kuadrot në politikë. Para vitit 1981, kur isha marrë aktivisht me politikë, disa herë isha konfrontuar me zyrtarë të lartë të politikës në Kosovë rreth kuadrove. Kisha bërë vërejtje se nuk hapeshin mundësi të mjaftueshme për inkuadrimin në politikë të brezit të ri, por kisha marrë pergjigje se nuk kishim kuadro të mjaftueshme, bile jo ashtu si kërkohej. Kisha konkluduar se ata kërkonin kuadro lojalë për vete dhe jo për zhvillimin e Kosovës. Dhe nuk ishim pajtuar. Gjithkush kishte qëndruar pas botëkuptimeve të veta. Ndërkaq, dukej se LDK-ja kishte bërë hapa të duhur përpara. Shumica absolute e kuadrove të zgjedhur në bazë kishin përgaditje të lartë profesionale, kurse në organet më të larta edhe tituj të ndryshëm shkencorë. Megjithatë, kisha vënë re se disa të rinj që i njihja personalisht si njerëz me aftësi të veçanta organizative dhe talente të tjera, përkundrejt insistimit në nivele ku kisha mundësi të insistoja nuk ishin zgjedhur. Ndërkaq ata që u zgjodhën, në një apo në mënyrën tjetër, më vonë u larguan nga vendet ku ishin zgjedhur ose u larguan tërësisht nga LDK-ja. Kjo më kishte habitur, sidomos për shkak se ishte fjala pikërisht për ata që kishin qenë më aktivët gati në çdo aksion të ndërmarrë të secilit nivel. Kishte qenë e qartë që në fillim se një pjesë e mirë e fajit e kishte mekanizmi elektoral i cili mbështetej kryesisht në mëhalla (nëpër fshatra) ose në koteri shoqërore nëpër qytete. Natyrisht se mëhalla kërkonte zgjidhjen e kandidatit të vet, pavarësisht nga ajo se a ishte më i mirë se tjetri i mëhallës tjetër. Mirëpo këtu kishte dhe diç tjetër. Rëndom vërehej se djelmoshat që kishin aftësi të veçanta ndodheshin në raporte të tendosura me mëhallën e tyre dhe kjo pastaj për një arsye të veçantë nuk i kandidonte, e as që i zgjidhte. Kjo gjë e kishte nxitur kurreshtjen time.

Kisha vënë re se pjesa dërrmuese e atyre që zgjidheshin në nivel të bashkësisë lokale apo të komunës, kryesisht për shkaqe objektive (papunësia dikur jo e plotë, ndërsa tani gati totale), por edhe për shkak të njohurive të mangëta të fituara gjatë shkollimit; mungesës së kulturës së punës intelektuale, etj., jetonin nëpër familje të mëdha së bashku me vëllezërit e me prindërit, dhe në shumë raste, edhe me axhallarët e kushërinjtë më të largët. Të martuar dhe me fëmijë, nuk e kishin provuar ndonjëherë shkëputjen dhe jetën individuale të familjeve të veta-nukleus. Ndonëse qytetarë akademikë, gati të gjithë me radhë i nënshtroheshin jo vetëm autoritetit, por edhe gjykimeve të më të vjetërve dhe të zotit të shtëpisë. Me kohë, midis tij si qytetar akademik, familjes së madhe dhe pushtetit ishte krijuar një simbiozë e çuditshme, që shkonte në dobinë e tyre reciproke, por që jashtëzakonisht shumë e ngecte dhe e ngadalësonte progresin shoqëror; 1) Qytetari i tillë akademik nuk kishte llogari të shkëputej nga familja e madhe, sepse rëndom vetëm ai ishte në punë, por jo edhe bashkëshortja e tij. Me të ardhurat e fituara shumë vështirë do të mund ta mbante familjen e tij, zakonisht shumë-anëtarëshe, dhe kishte fare pak shanse ta ngiste ndonjë veturë. Ndërkaq brenda familjes së madhe ishte pothuajse i liruar nga përgjegjësia e kujdesit dhe e edukimit të fëmijëve të vet, ose këtë përgjegjësi e ndante me të tjerët. Duke mos pasur kokëçarje të kësaj natyre, ai mund të merrej me aktivitete të lira, të cilat në kushtet e fshatit zakonisht përfundonin në sport; 2) Ndërkaq edhe familja e madhe në raport me të kishte fitim të dyfishtë: a) Rrënjët e këtij fitimi zakonisht ndodheshin te kontestimi i hises (pasuria e trashëguar nga prindërit, ose edhe ajo e përbashkët). Meqë familjet e tilla kishin arritur të shkollonin vetëm një ose dy anëtarë (në raste të rralla shkolloheshin shumica), ndarja e pasurisë në pjesë të barabarta, pavarësisht nga shkalla e shkollimit të vëllezërve, bile edhe atëherë kur punonin të gjithë, doemos do të rezultonte në standarde të pabarabarta të jetesës. Qytetari akademik, i punësuar si profesor ose si inxhenier, me pjesën e pasurisë së ndarë, doemos që do të jetonte ndryshe nga vëllezërit e tij të pashkolluar (motrat në këtë mes asnjëherë nuk merreshin parasysh). Nga kjo pastaj mund të lindnin mosmarrëveshje të ndryshme, raporte të sëmura familjare që mund të shtriheshin edhe në shoqëri. Të ndodhur para këtij fenomeni të çuditshëm, shumica e etërve vendosnin të "mos bënin mëkate" dhe t'i pavarësonin bijtë e tyre të shkolluar. Ndërkaq këta, duke mos pasur mundësi të kacafyteshin me problemet e jetës, me heqjen dorë nga pasuria e përbashkët, detyroheshin t'i nënënshtroheshin traditës dhe mënyrës tradicionale të jetesës. Këtë pastaj gradualisht, e "paguanin" me një shkrirje të unit të tyre individual në identitetin kolektiv të familjes; d) Familjet e tilla të mëdha e hetuan me kohë se autoriteti shoqëror i birit të tyre të shkolluar mund të ishte i dobishëm jo vetëm për rritjen e drejtëpërdrejtë të pasurisë materiale (kjo ngjante rëndom në qoftë se bijtë e tyre punonin në ekonominë e dikurshme shoqërore), por para së gjithash për forcimin e lidhjeve shoqërore ose vendosjen e tyre (në qoftë se tashmë nuk i kishin formuar) dhe ngritjen e autoritetit të familjes. Për këtë shkak, ato filluan t'ia kushtonin kujdesin e duhur standardit individual të birit të tyre të shkolluar, por jo edhe nukleus-familjes së tij, e cila me xhelozi të veçantë u nënshtrohej rregullave të jetës së përbashkët në familjen e madhe. Atij mbase nga depot e vjetërsirave në Evropë ia blinin edhe ndonjë veturë me shkëlqim të jashtëm me të cilën mund të kënaqej duke shetitur, ndërkaq fëmijët e tij i lidhnin për vete, përmes miqësive të reja që i ngjanin vetes së tyre; 3) Ndërkaq vetë shoqëria kishte fitim nga këto familje të mëdha. Sipas vlerësimeve statistikore, gati rreth 60% të strukturës së popullsisë shqiptare i takonte rinisë, ose banorëve të moshës rinore. Pushteti i dikurshëm komunist e kishte të pamundshëm kontrollimin në mënyrë efikase të kësaj armate të të rinjve, të cilët ishin rritur ndërkohë dhe të cilët ishte e vështirë vetëm t'i njihje, e jo më edhe t'i kontrolloje. Për këtë shkak, struktura politike e pushtetit zakonisht mbështetej te të zotët e shtëpive dhe te pleqtë autoritativë të këtyre familjeve. Në mënyra të ndryshme u ndihmonte atyre që ta mbanin autoritetin në familjet e tyre, qoftë duke ua falur ndonjë dënim gjyqësor (për t'ua ruajtur "fytyrën") qoftë duke i shikuar "nëpër gishta" veprimet që shkonin ndesh me normat shoqërore dhe juridike.

Meqë simbioza e tillë familjare realisht ishte rezultat i kushteve objektive ekonomike, ajo nuk mund të ndryshonte pa trauma të mëdha familjare. Për këtë shkak, mekanizmat mbrojtës psikikë dhe shpirtërorë u shndërruan shumë shpejt në një oportunizëm të përgjithshëm brenda familjeve. Por ajo pastaj, si një merimangë gjigante, e shtrinte rrjetën e vet në tërë shoqërinë. Familjet e tilla krijonin me sukses të plotë edhe lidhje me një pjesë të intelegjencës në Prishtinë, e cila gjithashtu në thelb udhëhiqej me leverdinë materiale. Shumë profesorë, mjekë, drejtorë të ndryshëm, etj., "kthenin" në këto familje me pretekste të ndryshme, rëndom kinse për t'i takuar ish-studentët e tyre, të cilëve edhe ashtu shpesh ua kishin falur notat, po në të vërtetë për t'i mbushur gepekët e veturave të tyre të mëdha me zarzavate e gjëra të rastit. Sidoqoftë, shtrirja e lidhjeve të tilla e kishte krijuar me kohë një shoqëri çuditërisht njëtrajtëshe në themelin e së cilës ndodhej një oportunizëm i tmerrshëm, jo vetëm ndaj kërkesave të kohës, por edhe ndaj kërkesave të jetës në përgjithësi.

Sikur një kompleks i tillë raportesh të pasqyronte ndonjë shoqëri të zhvilluar, atëherë themeli oportunist i saj do të ishte mbështetje e fortë e stabilitetit shoqëror. Mirëpo fjala ishte për raportet që i diktonin kushtet ekonomike dhe në rend të parë mungesa e vendeve të punës. Ato ngriteshin mbi mohimin gati total të femrës si subjekt shoqëror; nuk llogaritnin në rritjen e brezave të rinj dhe përfundonin në odat e fshatarëve si simbole të "rendit e të konakut". "Stabiliteti" i arritur në këtë mënyrë nuk u shërbente ndryshimeve pozitive shoqërore, po përkundrazi, e konservonte gjendjen ekzistuese të gjërave; nuk drejtohej drejt së ardhmes, por vetëm në të sotmen; matej me të djeshmen, por e injoronte të nesërmen. Dukej qartë se simbioza e tillë oportuniste nuk e lejonte zgjedhjen e më të mirëve në strukturat udhëheqëse, jo vetëm të LDK-së.

I prekur thellë nga kjo gjendje, e cila në raste hidhërimi më detyronte ta parafytyroja Kosovën si një depo të madhe të veturave të vjetra të Evropës, të cilat me shkëlqimin e tyre të rrejshëm kishin arritur t'i rrotullonin vlerat, në Kuvendin e jashtëzakonshëm në Krushë, më nxitën të konstatoja se fjala ishte për bijtë dhe bijat e "haxhi-babave" në fshat dhe të "tatave" në qytet, të cilët nuk e kuptonin dot se në Evropë nuk mund të shkohet me raporte feudo-klanore e feudo-kapitaliste. Me fjalë të tjera, kërkoja që t'i hapet rruga konkurrencës së vlerave të njëmendëta. Më vonë mora vesh se më akuzonin për botëkuptime elitiste. Disa shkrime nëpër gazeta në gjuhën shqipe në mënyrë indirekte më mbanin leksione mbi filozofinë e Platonit, ndonëse nuk e kishin kuptuar faktin elementar se Platoni, duke e kërkuar sundimin e filozofëve, në të vërtetë e kërkonte sundimin e kompetencës, ose kompetencën në rregullimin e punëve shoqërore (filozofët si njohës kompetentë të shoqërisë). Mirëpo duket se e kisha pasur gabim. Shumica gjatë historisë rëndom e kishte imponuar jokompetencën për të udhëhequr me shoqërinë. Ndonëse nuk kishte ngjarë që jokompetenca të tërhiqte pas vetes shumicën, në Kosovë kishte ngjarë që gati e tërë rinia shqiptare të shpërngulej për në Evropë. Dukej sikur caku i evropeizimit të Kosovës do të arrihej me "evropeizimin" e rinisë, duke u martuar me evropiane dhe duke i braktisur raportet e përshkruara feudo-klanore njëherë e përgjithmonë.

Ukshin Hoti
Filozofia politike e çështjes shqiptare, faqja 98.
25.09.2020