Puna është se arti inspirohet me të bukurën dhe të mirën. Ndërkaq metodat me të cilat realizohet e bukura dhe e mira në art mund të jenë gjithashtu të bukura por mund të jenë edhe jashtë saj, siç ngjet zakonisht me kushtet në të cilat realizohet ndonjë vepër artistikisht e bukur. Dredhia, dinakëria dhe dhelpëria mund të hyjnë në kuadër të mjeshtërisë së artistit për të realizuar të bukurën. Me këtë rast përsëri do të mbeten art, sepse qëllimi (vepra e bukur artistike) e përcakton përmbajtjen e tyre si aftësi të artistit për të paraqitur të bukurën. Mirëpo ato mund të jenë edhe metoda, madje prioritare, të ndonjë imitatori apo falsifikatori të veprave artistike. Në rast të tillë këta do të bënin pjesë në mjeshtërinë e imitacionit, të falsifikimit dhe të hajdutllëkut. Përmbajtja e qëllimit të imitimit (p.sh. për të gënjyer opinionin me qëllim të përfitimit material) do t'i klasifikojë si të pamoralshme dhe të dëmshme për njerëzit. Në politikë gjërat qëndrojnë njësoj si edhe në art, por konsekuencat e njërës dhe të tjetrës janë të pakrahasueshme. Përderisa me një vepër të bukur artistike mund të kënaqen shumë njerëz, me ndonjë vepër të bukur politike mund të shpëtojë një popull apo më shumë sish si dhe anasjelltas, me veprën e falsifikuar mund të dëmtohet blerësi ndërsa me politikën e falsifikuar mund të dëmtohen popujt.
