Një Serbi që e mban të pushtuar Kosovën nuk është as vetë e lirë. Liria e vërtetë e Kosovës është një premisë themelore edhe për lirinë e vërtetë të Serbisë. Kosova për Serbinë është kulti i robërisë së vetvetes, nëse nuk bëhet shans i lirisë dhe i evropeizimit të saj të ardhshëm.
Politika shqiptare e një rezistence pasive është një degradim dhe falsifikim i vetë gandizmit, i cili çoi në pavarësinë e Indisë. Rezistenca si afirmim është e ndryshme nga rezistenca në heshtje e humbjes së personalitetit.
Për Ukshin Hotin kompleksi i inferioritetit të kombit shqiptar është një fatalitet që duhet kapërcyer. Nuk mund të ketë histori të shqiptarëve të bërë nga të tjerët, po ka histori të shqiptarëve të njohur më në fund nga të tjerët.
Nga kompleksi i inferioritetit kombi shqiptar ka pësuar disa herë disfata gjatë historisë dhe e ka viktimizuar vetveten.
Nga kompleksi i inferioritetit humbet perspektiva dhe tabuizohet statukuoja.
Nga kompleksi i inferioriteit nuk do të ketë asnjëherë kapërcim të Rubikonit në historinë tonë, që është një kapërcim nga ferri në purgatorin e një të ardhme më shpresëndjellëse.
