Shqip
Ukshin Hoti

Çeshtja Kombëtare Shqiptare : komponenti religjioz :

"Per ne është interesant raporti me zotin te besimi islamik, jo sepse bota islame numerikisht është me e madhe se ajo e krishterë, dhe as vetëm sepse këto dy botëra janë te shtrënguara që vazhdimisht të bashkëjetojnë, duke u shtyrë mes tyre për vërtetësinë e besimit vetjak, por në radhë të parë sepse në shqiptarët jemi në shumicë popull i besimit islamik dhe sepse antagonizmat midis dy sistemeve religjioze, si duket, kanë filluar te shprehen edhe ndër ne. Te kje çeshtje nuk është me rëndësi kapitale dhe as prioritare se çfare e konsiderojmë ne veten : vazhdimishtj emi duke theksuar se jemi popull me tri fe : islamike, katolike, dhe ortodokse ; se kjo ndasi religjioze për shqiptarët nuk ka pasur rëndësi as gjatë historisë dhe as sot; se religjioni ndër ne nuk është ngulitur thellë në mentalitetin e popullit dhe se përkatësia religjioze ndër shqiptarët nuk ka qenë ndonjëherë pretekst i mjaftueshëm per ndonjë luftë vëllavrasëse mbi baza religjioze. Madje, edhe pse shqiptaret janë një popull tipik tek i cili formësimi nacional është bërë ne mbështetje te gjuhës, ndonëse nuk është respektuar shtrirja territoriale e saj, pra nuk është bërë ne mbështetje te fesë, dhe ky fakt tashmë është i pranuar në literaturën politike; se që te tri religjionet kanë pasur ndikim ne begatimin e përmbajtjes shpirtërore te shqiptarit dhe se kjo gjë, me ne fund, do te duhej te shërbente si shëmbëlltyrë dhe inspiracion për begatimin e tolerancës, jo vetëm fetare, në raportet midis shteteve dhe popujve. Sipas rezonimit religjioz, duket sikur me shembullin e shqiptarëve; zoti dëshironte t'ia tregonte rrugën njerëzimit për kultivimin e atyre vlerave fondamentale që te çojnë në mirëqenie dhe rahati dhe jo në mjerim. Te gjitha këto s'ka dyshim se janë me rëndësi kapitale per vet ne, për ate se fare mendojmë se jemi; se çfare do të duhej të ishim dhe se (për) çfare do të dëshironim të na konsideronin, të na ndihmonin dhe te na respektonin edhe të tjerët. Mirëpo për fat te keq, duket sikur akoma nuk kemi arritur që te tjerëve t'ua imponojmë mendimin tonë per veten. Dhe duket sikur jo vetëm atyre, por madje as vetes. Duket sikur po përjetojmë çastet kur rëndesi kapitale po fiton mendimi deformuar dhe cinik i te tjerëve per ne. Fakti se ne, në shumicë, jemi popull me përkatësi religjioze islame atyre po u sherben për të deformuar mendimin mbi ne. U duket sikur insistimi ynë në tolerancën fetare, që për ne është një realitet i natyrshëm, nuk është tjetër veçse një dredhi e mendjes politike islame e ngulitur te shqiptarët. Pastaj mbi këtë bazë po tentohet edhe veprimi ndaj nesh; një dredhie te supozuar ndër shqiptarët i përgjigjen me një dredhi të njëmendët të vetes: veprimin e vet cinik ndaj nesh e bëjnë në mënyrë që të duket sikur ne vetë po veprojmë kundër vetes sonë. Dhe e keqja është se edhe ne, njëmend po veprojmë, qoftë sepse nuk jemi te zotët ta kuptojmë dredhinë, qoftë sepse nuk jemi duke ditur si t'i pergjigjemi dredhisë se të tjerëve, qoftë sepse akoma nuk jemi plotësisht te vetëdijesuar mbi faktin se çka jemi në te vërtetë ne, si ne kohë te paqes, rehatisë dhe stabilitetit, ashtu edhe në kohë çrregullimash, ankthit e krizës. Përndryshe, sikur të ishim plotësisht të vetëdijesuar për veten në secilën koh, nuk do të befasoheshim nga goditjet e cilitdo drejtim qoftë, në secilën kohë a periudhë. Së paku, do ta mblidhnim veten dhe nuk do të silleshim si të trullosor për një kohë të gjatë."

Ukshin Hoti
Filozofia politike e çështjes shqiptare
24.07.2020