Shqip
Edon Duraku

Palestinë, të zgjohemi nga gjumi

Ka momente kur nuk dimë më çka me bo. Protestojmë, bërtasim, shkruajmë. E megjithatë, ndjenja e pafuqisë na përcjell në çdo hap. Si të ishte gjithçka e vendosur paraprakisht. Si të mos kishte më vend për zemërimin tonë.

Për muaj të tërë, Gaza na ndjek. Shikojmë, përpiqemi të reagojmë, por ndjehemi të ngrirë – spektatorë të tmerrit, të bllokuar këtu, duke kërkuar mënyra se si të veprojmë politikisht përballë të papërshkrueshmes.

Dhe pastaj ndodhi flotilja e ditëve të fundit. Rima Hassan, Greta Thunberg, dhe të gjithë ata që u bashkuan në këtë aksion, hapën një çarje. Një frymëmarrje në këtë mbytje të përgjithshme.

Një kujtesë e fuqishme për të gjithë ne që jemi aktivistë: nuk jemi të pafuqishëm.

Ende ka veprime që mund të shqetësojnë, të trondisin, të bëjnë të dëgjohet ajo që shumë duan ta shtypin. Ekuipazhi i flotiljes bëri më shumë sesa përpjekjen për të dërguar ndihma – ata na dhanë forcë. Një burim kolektiv përballë dëshpërimit. Një dëshmi se ende është e mundur të luftojmë – ndryshe, me guxim, me kreativitet. Dhe, ndoshta më së shumti, një mënyrë për të liruar atë ndjenjë faji që na rëndon në pafuqinë tonë. Sepse, në vend që të na bëjnë të ndihemi fajtorë pse nuk bëjmë mjaft, na tregojnë se ka ende rrugë veprimi, gjeste konkrete, përpjekje kolektive.

Por duhet ta themi qartë: heroi i vërtetë është para së gjithash populli palestinez, që po sakrifikohet tash e mbi 80 vjet, duke paguar çmimin e luftërave, krimeve dhe interesave të fuqive të mëdha koloniale. Janë ata që rezistojnë çdo ditë, në kushte nga më të vështirat, me një dinjitet që historia do ta mbajë mend.

E megjithatë, në kontekstet tona të quajtura “perëndimore”, si aktivistë antikapitalistë, antiracistë dhe antikolonialistë, veprimi i flotiljes na dha diçka shumë të çmuar: shpresë, drejtim, një horizont të ri mundësish.

Faleminderit atyre. Ajo që kanë bërë, rrezikuar dhe shkaktuar – na obligon. Dhe na kujton pse po luftojmë.

Edon Duraku
15.06.2025