UKSHIN HOTI, kronologjia

UKSHIN HOTI, kronologjia

  • 1943 – 17 qershor :
    Lindja.
  • 1950 – 1958 :
    Shkollimin fillore në Krushë të Madhe dhe në Rogovë të Hasit.
  • 1958 – 1963 :
    Shkollen normale në Prizren dhe në Prishtinë.
  • 1963 – 1964 :
    Arsimtarë në shkollen fillore të Krushës së Madhe.
  • 1964 – 1968 :
    Studime në Shkencat politikë në Universitetin e Zagreb-it.
  • 1968 – 1970 :
    Studime pasuniversitare në drejtimin e Marrëdhënieve Politike dhe Ekonomike Ndërkombëtare në Beograd. Njëkohësish në Beograd kryen edhe shërbimin ushtarak.
  • 1969 :
    Shkrime të artikujve të ndryshëm në rubrikën e punëve të jashtme në gazetëne « Rilindja ».
  • 1970 – 1972 :
    Punon në komisionin ndërkombëtarë për bashkëpunimin me (Lidhjen Socialiste e Popullit Punonjës të Jugosllavisë) Përfshirë këtu edhe një qëndrim katër mujor në Angola për një mision paqësor dhe një qëndrim dy mujor në Indi.
  • 1972 :
    Për Kosovën emërohet Sekretar i Sekretariatit për Marrëdhenie më Jashtë.
  • 1974 :
    Tito i jep Kosovës statutin e Krahinës Autonome.
  • 1975 :
    Publikimi i veprës së tij « Lufta e ftohtë dhe detanti ».
  • 1977 :
    Jep dorëheqje nga posti si Sekretar i Sekretariatit për Marrëdhenie te jashtme të Kosovës.
  • 1978 – 1979 :
    Specializon në Universitetin e Çikagos, Washington-it dhe Boston-it.
  • 1979 – 1981 :
    Mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës.
  • 1980 – 4 maj :
    Vdekja e Titos.
  • 1981 – 11 mars :
    Demonstratat studentore në Universitetin e Prishtinës.
  • 1981 – 19 nëntor :
    Mbron çështjen e studentëve në një mbledhje në Universitetin e Prishtinës.
  • 1981 – 21 nëntor :
    Arrestohet nga policia.
  • 1982 – 21 korrik :
    Dënohet me 9 vjet burg.
  • 1983 – 5 prill :
    Edi shukriu i shkruan një letër gjykatës së Beogradit për ta zvogëluar dënimin e Ukshin Hotit. Dënimi do të zvogëlohet me 3 vjet e gjysëm.
  • 1985 – pril :
    Dalja nga burgu.
  • 1989 – maj :
    Milosheviçi zgjidhet kryetar i Serbisë dhe heq autonominë e Kosovës.
  • 1989 – 9 nëntor :
    Rënia e murit të Berlinit.
  • 1990 – 27 janar :
    Demonstrata që shkaktojnë vdekjen e 5 shqiptarëve në Brestovc (Rahovec).
  • 1990 :
    Punon në Ljubljanë për revisten shqiptare dhe themelon gazetën « DeA ».
  • 1990 – 2 korrik :
    Shpallja e pavarsisë së Kosovës.
  • 1990 – 11 dhjetor :
    Fundi i regjimit komunist në Shqipëri.
  • 1991 :
    Antarësohet në LDK.
  • 1992 – janar :
    Organizon një homazh për 5 demostruesit e vrarë në Brestovc.
  • 1992 :
    Rikthehet në Fakultetin e Filozofisë dhe largohet nga LDK.
  • 1992 – 23 nëntor :
    Fjalim në Tetovë për përkrahjen e bashkimit kombëtarë.
  • 1993 – mars dhe prill :
    Burgoset për organizimin e homazheve të një vjeti më parë
  • 1993 – maj :
    Pasi ka vizituar grevistët, ai rrihet nga policia serbe.
  • 1994 – 16 maj :
    Arrestohet ditën kur duheshte të marrë udhëheqësinë e partisë UNIKOMB.
  • 1995 :
    Publikimi i veprës së tij të dytë « Filozofia politike e çështjes shqiptare ».
  • 1998 – 28 shkurt :
    Fillimi i luftës në Kosovë.
  • 1998 – 14 maj :
    Kërkesa e Parlamentit Evropian për të liruar Ukshin Hotin.
  • 1998 – 13 tetor :
    Nominohet për çmimin Saharov.
  • 1999 – 6 shkurt :
    Fillimi i konferencës së Rambujesë.
  • 1999 – 1er mars :
    Kontrollimi i kushteve të burgosjes së Ukshin Hotit nga KNKK-ja.
  • 1999 – 23 mars :
    Fillimi i bombardimeve të NATO-së.
  • 1999 – 25 mars :
    Fshati i Krushës së Madhe bombardohet dhe sulmohet nga forcat serbe.
  • 1999 – 16 maj :
    Dalja nga burgu i Dubravës dhe zhdukja.
  • 1999 – 19 maj :
    Masakra e 173 të burgosurve shqiptarë në burgun e Dubravës.
  • 1999 – 10 qershor :
    Fundi i luftës në Kosovë.
  • 2000 :
    Publikimi i veprës së tij të tretë « Bisedë permës hekurash ».
  • 2001 :
    Konflikt i armatosur në maqedoni ndërmjet maqedonasve dhe shqipëtarëve.
  • 2001 – gusht :
    Nënshkrimi i marrveshjes së ohrit në maqedoni, me të cilin merr fund konflikti i armatosur.
  • 2008 – 17 shkurt :
    Pavarësia e Kosovës, nën mbikqyrjen e EULEX-it.
  • 2013 – 17 qershor :
    Inaugurimi i shtëpisë-Muze « Ukshin Hoti » në Krushë të Madhe.
  • 2014 – maj :
    Publikimi i veprës së tij të katërt : « Çështja Kombëtare Shqiptare, komponenti religjioz ».
UKSHIN HOTI : Pjesa 3, ku është Ukshin Hoti ?

UKSHIN HOTI : Pjesa 3, ku është Ukshin Hoti ?

Mbishkrimet e ndryshme të shpërndara në Prishtinë.

Pas Ukshin Hotit

Lufta e Kosovës përfundoi me 10 korrik të vitit 1999. Trupat serbe tërhiqen, NATO vendoset në Kosovë dhe një milion shqiptarë, të shpërngulur gjatë luftës kthehen në tokat e tyre. Populli shqiptar duhet të ballafaqohet me dëmet e shkaktuara nga lufta ; pa strehim, familje të tëra flenë nëpër strehimore (tenda ose shtëpi të shkatërruara). Megjithatë, shqiptarët do t’i vuajnë pasojat e luftës. Familjet shqiptare do të presin anëtarët e tyre të kthehen nga lufta ; disa do të kthehen shpejtë, disa të tjerë do të lirohen nga burgjet serbe më vonë, kurse disa të tjerë nuk do të kthehen kurrë. Edhe sot e kësaj dite nuk dihet nëse këta të fundit janë gjallë apo të vdekur. Ata ende mbajnë statusin e të zhdukurve. Deri më sot ka 1655 të zhdukur në Kosovë, ndër ta është edhe Ukshin Hoti16.

Kosova shpalli pavarësinë e një anëshme me 17 shkurt të vitit 2008. Rusia, si anëtare e Këshillit të Sigurimit dhe aleate e Serbisë, vendosi veton e saj. Deri më sot Serbia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës e këtë nuk e ka bërë as Organizata Kombeve të Bashkuara. Tani, Pavarësia e Kosovës është nën mbikqyrjen e EULEX-it, një mision evropian që ka për qëllim ta shoqërojë Kosovën në procesin e ndërtimit të një shteti të drejtë dhe demokratik. Çfarë ndodhi atëherë me demokracinë autentike që e kishte mbrojtur Ukshin Hoti dhe që kishte mbirë në Kosovë në vitin 1981 ? Çfarë ndodhi me vetëvendosjen e popujve, me këtë ideologji të regjistruar në statutin e Kombeve të Bashkuara17 ? E gjithë kjo a e bën të skaduar bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë ? Gjithashtu, çfarë mund të thuhet për nenin e tretë të kapitullit të parë të Kushtetutës së Kosovës ?

« Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti. »

Kjo situatë e krijuar i jep më shumë hapësirë Lëvizjes Vetëvendosje ! Në votimet e fundit komunale, kjo Lëvizja ka marrë 20% të votave, duke e fituar kështu edhe bastionin e LDK-së, që është komuna e Prishtinës. Lëvizja do që të jetë trashëgimtare e mendimeve të Ukshin Hotit. Por, a është e vërtetë ajo që pretendonë se janë, ose e shfrytëzon personazhin e Ukshin Hotit thjeshtë si simbol i lëvizjes së tyre ashtu siç e shfrytëzon PDK-ja, Adem Jasharin ose LDK-ja, Ibrahim Rugovën ? Ajo që është e sigurt, është se Lëvizja Vetëvendosje fiton më shumë vota dhe në të njëjtën kohë emri i Ukshin Hotit dëgjohet çdo ditë e më shumë. Në Krushë të Madhe, një shkollë e ndërtuar në vitin 2008, është emëruar me emrin e tij. Universiteti i Prizrenit, gjithashtu emërtohet si Universiteti « Ukshin Hoti ». Shtëpia ku ai jetoi pas viteve të ‘90-ta është kthyer në shtëpi muze dhe është inaguruar më 17 qershor të vitit 2013, ditën kur Ukshin Hoti kishte 70 vjetorin e lindjes. Konferenca të ndryshme janë organizuar në Prizren dhe Prishtinë për ta nderuar atë. Së fundmi, qytetarët e komunës së origjinës së Ukshin Hotit (Rahovecit) kanë parashtruar një peticion, që ka mbledhur mbi 11 mijë nënshkrime dhe kanë dërguar në Kuvend të Kosovës, për të zgjidhur çështjen e Ukshin Hotit18. Në muajin maj të vitit 2014, është publikuar një libër i ri me shkrimet e tij, « Çështja kombëtare shqiptare : komponenti religjioz ».

Shtëpia e Ukshin Hotit, e inaguruar si Shtëpi-Muze me 17 qershor të vitit 2013, ditën kur ai kishte 70 vjetorin e lindjes.

Filozofia Ukshin Hotit

Filozofia e Ukshin Hotit nuk është vetëm, produkt i mendimit të tij por edhe i studimeve të tij shkencore që bazohen në veprat shkencore të filozofëve, politologëve, ekonomistëve dhe sociologëve të njohur, si : Ralf Gustav Dahrendorf, Georg Kennan, Adam Smith, Maks Weber dhe Slavoj Zizek. Zotërimi i gjuhës serbo-kroate dhe gjuhëve të tjera si anglishtja, frengjishtja, dhe italishtja, ia kanë mundësuar atij qasjen në leximin e veprave, që edhe deri më sot nuk janë të përkthyera në shqip. Ndër autorët e tij të preferuar mund të përmendim: Hegel, Thomas Hobbes, Immanuel Kant, Karl Marks, Thomas Mor dhe Aleksis dë Tokëvill. Si adhurues i teorisë kritike së shkollës së Frankfurtit, i bazoi shkrimet e tij në të, duke cituar ndër to: Theodor W. Adorno, Jürgen Habermas, Maks Horkheimer dhe Wilfrid Röhrich. Ukshin Hoti e përkufizonte veten si një sociolog politik, që do të thotë se studionte lidhjet dhe sjelljet njerërzore në relacion me shtetin. Shkrimet e tij rreth kësaj teme janë shumë domethënëse. Në këto shkrime ai citon shpesh shembuj nga jeta e tij personale për të treguar njohuritë e tij rreth shoqërisë shqiptare dhe duke përkrahur idenë se zgjidhjet e problemeve me të cilat ballafaqohet kjo e fundit, duhen të jenë të harmonizuara me funksionimin qenësor të kësaj shoqërie. Si njohës i shoqërisë indiane dhe veçanërisht i filozofisë së Gandit, të cilin e citon disa herë, thotë që kjo ideologji nuk është në përputhje me popullin shqiptar. Pa e gjykuar atë, Ukshin Hoti shton se nëse Gandizmi ka funksionuar në Indi, kjo ka ndodhur meqë Mahatma, pavarësisht nga vështirësitë që ka hasur, e ka njohur shoqërinë e tij të asokohësme dhe në rrethana të caktuara, të cilat kanë mundësuar që kjo lëvizje të realizohet. Ukshin Hoti, nuk ishte i pajtimit as kur shtypi i asokohshëm ia dha Ibrahim Rugovës statutin e Gandit të Ballkanit. Ja një fragment nga kjo temë :

« Dua të shtoj se nuk do të duhej tepruar me atë që gazetarët e quajnë gandizëm të popullit shqiptar, dhe që sërish bazohet në metodën e luftës së tij. Ajo që sot nëpër faqet e shtypit po lavdërohet si gandizëm, për ç’shkak individë të caktuar që s’kanë asnjë lidhje me të ngriten gjer në qiell, fitojnë shpërblime, u rrahen shpatullat, falenderohen etj., vërtetë që s’kanë asnjë lidhje me gandizmin. Unë e di se çdo metodë e luftës paqësore e demokratike s’mund të quhet gandizëm, sepse çdo metodë e tillë e luftës nuk është njëherit edhe produkt i një filozofie të tërë të antidhunës, ashtu siç ishte në realitet dhe siç është filozofia e Gandit, por vetëm një pasqyrë e situatës së caktuar dhe e kushteve të caktuara. Ashtu siç e di edhe se sot atë e lavdërojnë pikërisht ato qarqe në botë të cilat kanë bërë, dhe vazhdojnë të bëjnë edhe sot gjithçka, që njerëzit të mos e kuptojnë. Mirëpo kjo është punë e tyre. Unë e mendoj veten si tepër larg Gandit. Pastaj, dhe kjo është më e rëndësishmja, një pjesë e inteligjencisë shqiptare, do të duhej më së fundi të mësonte që për popullin e vet të mendonte me kokën e vet, sepse edhe krahas shumicës së tij islamike, populli shqiptar kurrë nuk ka qenë dhe as që do të jetë ndonjëherë popull aziatik. Ndonëse edhe islamizmi nuk ka me të ndonjëfarë lidhje, t’i imponosh popullit shqiptar vlera që janë në kundërshtim me frymën e tij praktike, nuk do të thotë vetëm moskuptim dhe keqinterpretim i tij, por edhe dhunim të dinjitetit të tij, d.m.th. të një populli të lashtë evropian. Nuk e kam ndjerë veten të goditur personalisht. Ishte obligim i imi intelektual kundrejt një kolosi të mendimit dhe të frymës njerëzore, që të reagoj kundër atyre teprimeve.  »

Ukshin Hoti ishte një person shqetësues për pushtetin serb. Për të njëjtin pushtet, i cili ia dha mundësinë një shqiptari me origjinë nga një fshat me 5 mijë banorë të ngjitet hap pas hapi në rradhët e administratës së shtetit Jugosllav, të gjindet përballë këtij njeriu që ka mbledhur njohuri të mjaftueshme për ta kuptuar funksionimin e aparatit shtetëror të Jugosllavisë, pasi i ka kuptuar çështjet globale nga hulumtimet e tij dhe udhëtimet e tija ndërkombëtare, duke denoncuar fillimisht zhvillimin e pamjaftueshëm ekonomik të Kosovës dhe më pas në rradhë të dytë, aparteidin serb. Megjithatë, në aktin e tij të mbrojtjes, në vitin 1994, ai akuzon poashtu një pjesë të alternativës së Kosovës për të cilët shfaqi dyshimin për burgosjen e tij si marrëveshje me palën serbe. Ja disa shkëputje në vijim nga fjala e mbrojtjes :

« Lidhur me faktin e parë prokurori publik më akuzon se kam dashur ta ndaj me anë të dhunës Kosovën nga Republika e Serbisë. Pasiqë Republika e Serbisë, e njeh de facto Republikën e Kosovës, unë nuk po akuzohem për ndarjen e saj nga Serbia, sepse kjo tek e fundit përbën cakun e gjithë alternativës politike shqiptare në Kosovë, por vetëm për mënyren e realizimit të këtij qëllimi (d.m.th. me anë të dhunës).[…] Zatën në qoftë se Republika e Serbisë e njeh de facto Republikën e Kosovës, atëherë funksionimi i saj në formën e këtij gjyqi në territorin e Republikës së Kosovës ose është akt marrëveshjeje midis tyre, ose është akt i dhunimit ndaj kësaj të fundit. […] Më ka arrestuar policia e Republikës së Serbisë, ndoshta me kërkesën e një pjese të alternativës shqiptare të Republikës së Kosovës. Shkaku i drejtpërdrejtë i këtij arrestimi sigurisht ka qenë frika iracionale e kësaj pjese të alternativës shqiptare se me shkuarjen time në Prishtinë në krye të UNIKOMB-it, do të çrregullohej baraspesha e forcave politike dhe do të krijohej një gjendje e paparashikueshme dhe e pakontrollueshme. »

Morali politik

Ukshin Hoti në shkrimet e tija, poashtu vë në dukje defektet e shoqërisë shqiptare. Thotë që sistemi fisnor-feudal i Kosovës, pengon zhvillimin moral të rajonit në sferën politike shqiptare. Ai denoncon politikanizmin : ai është për një përballje të hapur të bazuar në faktet shkencore. Në dëgjim të popullit të tij dhe të kërkesave të tij, ai nuk e fsheh se politika është mundësia më pragmatike për të arritur me gjithë legjitimitet qëllimin e fiksuar nga populli (demokracia autentike). Është e rëndësishme të përmendet legjitimiteti i të gjitha veprimeve të ndërmarra nga Ukshin Hoti. Ai i njihte të drejtat e tij, të drejtat e popullit të tij dhe nga ky fakt ishte më i bindur nga vërtetësia e akteve të tij. Ukshin Hoti është i bindur se shqiptarët duhet të dëshmohen për një moral politik bujar dhe të shëndetshëm, për t’i arritur qëllimet e tyre dhe jo ta marrin si shembull politiken serbe19. Si rrjedhojë e kësaj ai është në kundërshtim me filozofinë e Makiavelit. Ja një fragment, në të cilin Ukshin Hoti flet për filozofin italian :

« Një qëllim fisnik nuk mund të realizohet me metodat makiaveliste të intrigave dhe të shpifjeve. Bashkimin e Italisë nuk e solli mendimi politik i Makiavelit por vetëm mendimi politik i Macinit dhe lufta vetmohuese e një morali tejet të lartë e Garibaldit. Makiaveli e ka përshkruar luftën politike për pushtet të sundimtarëve të ndryshëm të paskrupullt dhe të princërve të Italisë feudale. Ai u jepte atyre udhëzime se si ta përforcojnë pushtetin dhe ka pasur besim se ndonjëri prej tyre do ta shfrytëzojë atë pushtet në favor të bashkimit të Italisë. Mjeshtritë të cilat i përshkruan dhe i rekomandon ai sigurisht që janë shfrytëzuar edhe më parë, por edhe pas tij, në luftërat e përgjakshme për pushtet nga ana e oborrtarëve të ndryshëm dhe despotëve, nga ana e tiranëve dhe diktatorëve të vjetër e modernë, por kurrë ndonjëherë ato, gjatë gjithë historisë, nuk e kanë sjellë fitoren e çfarëdo lëvizjeje politike serioze dhe as forcimin e çfarëdo pushteti demokratik. Ato mund të sjellin forcimin e pushteteve dhe të pushtetmbajtësve despotikë, autokratikë, autoritarë dhe totalitarë; ato janë metoda të një lufte të paskrupullt, të paturpshme dhe të përgjakshme për pushtet, por ato janë në kundërshtim të ashpër dhe të thellë me vetë nocionin e demokracisë. »

Bislim Elshani, një mik i afërt i Ukshin Hotit, është një specialist i filozofisë politike të tij. Ja një shkëputje nga artikulli i Elshanit, mbi moralin politik të Ukshin Hotit :

« Si studiues dhe hulumtues i sociologjisë politike, Ukshin Hoti është një kritik jashtëzakonisht i rreptë i të metave shoqërore të shqiptarëve. Shkaqet e fenomenit të oportunizmit politik mes shqiptarëve, sidomos tek një pjesë e rinisë së tij, ai i gjen tek raportet anakronike dhe të pashthurura patriarkale e fisnore në Kosovë. » Pas një ceremonie mortore në Therandë, në të cilat shpesh hapeshin dhe debate politike, një provokator nga LDK-ja e pyeti Ukshin Hotin se mos doni të na ktheni komunizmin? Më la përshtypje përgjigja e tij kuptimplotë: “Jo, por duam t’ua çrrënjosim feudalizmin.” Për dallim nga pyetja, përgjigja nuk ishte provokative, por fshihte pikërisht thelbin e raporteve shoqërore në Kosovë, të cilat akoma i karakterizon patriarkalizmi, filisteizmi fisnor e mentaliteti feudal, tipare këto që do t’i ngadalësojnë ndjeshëm integrimet euroatlantike të Kosovës. »

Bashkimi Kombëtar

Ukshin Hoti ka vendosur themelet e diplomacisë, marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të një politike profesionale në Kosovë. Vetëdijëshmëria e tij për çështjet politike dhe gjeostrategjinë ndërkombëtare për ardhmërinë e Kosovës dhe Shqipërisë, bazohen në fakte shkencore, analitike dhe historike. Ai është i bindur se populli shqiptar i Kosovës e ka të drejtën e vetëvendosjes së popujve. Kjo zgjidhje do të sjellë më shumë stabilitet në Ballkan, për të mirën e shteteve për rreth por gjithashtu për tërë Evropën, e cila e ka nënçmuar faktorin shqiptar të këtij rajoni. Ja një fragmet, ku Ukshin Hoti përkrahë tezën e bashkimit kombëtar :

 “Populli shqiptar duhet bashkuar. Këtë e dijnë të gjithë dhe askush më nuk e konteston. Ai duhet të bashkohet për shkak se është i njësuar në planin shpirtëror: e ka një gjuhë, një kulturë dhe një histori. Për shkak se është një popull i vjetër evropian i Ballkanit, i cili që heret e ka demonstruar pjekurinë e vet shtetformuese; për shkak se gjithashtu që herët e ka arritur nivelin e duhur të vetëdijes politike për veten, për vendin dhe për interesat e veta në regjion, dhe për shkak se e ka dëshmuar në mënyrë të lavdishme dobishmërinë e vet në të gjitha planet e bashkësisë evropiane të popujve. Nuk i duhet që ta dëshmojë përkatësinë e vet në këtë bashkësi, sepse pavarësisht nga pozita e vet gjeopolitike dhe e pranisë së religjionit islamik në shumicën e pjesëtarëve të tij, ai ka qenë dhe ka mbetur popull evropian. Ai duhet të bashkohet edhe për shkak se e drejta për vetëvendosje është njëra ndër arritjet qenësore të qytetërimit evropian, e drejtë të cilën vetë ajo e ka proklamuar dhe e cila më asnjë populli në Evropë nuk mund t’i refuzohet a t’i mohohet. Popullit shqiptar i duhet një gjë e tillë që të mund të zhvillohet vetë më tej për ta arritur nivelin e përgjithshëm të kësaj bashkësie.”

Sot, Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete demokratike, ose së paku ndodhen në një proces të gjatë të demokratizimit të vendeve të dala nga lufta ose të dala nga blloku komunistë. Këto dy shtete e kanë të drejtën po të jetë vullneti i tyre, në parimin e vetëvendosjes, të vetëvendosin dhe të bashkohen. Megjithatë, shoqëria shqiptarë është larg një bashkimi të mundshëm ndërmjet këtyre dy vendeve, ndonëse marrëveshjet tregtare janë në rritje. Mbetet veç kësaj përtej kufijëve aktual, pengesa ndërmjet këtyre dy shteteve të shkaktuara me shumë së 80 vite ndarje që koha do të vazhdon t’a zbehë. Dhe çka nëse arrihet deri tek bashkimi i këtyre dy vendeve ? A do të zgjidheshin vallë problemet e shqiptarëve në Ballkan ? Çfarë do të ndodhë me shqiptarët e Maqedonisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë ? Në Maqedoni, përkundër marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001, gjuha shqipe akoma nuk është gjuhë zyrtare edhe përkundër faktit se 25,17% e popullatës është shqiptare sipas statistikave maqedonase20. « Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë që kufizohet pothuajse nga të gjitha anët me vetveten, d.m.th. me popullin e vet dhe me trojet e veta historike », thotë Ukshin Hoti. Për të shtuar, në fatin e tij faktin se asnjëherë nuk arriti ta vizitojë Shqipërinë. Ukshin Hoti propozon një bashkim të shqiptarëve përtej kritereve të thjeshta nacionaliste, por dëshmon se kjo do të sjellë një faktor stabiliteti në Ballkan dhe nuk do lejojë instrumentalizimin e popujve të ndryshëm prej lojërave globale gjeostrategjike. I bindur me idenë se populli shqiptare do të emancipohet në një shtet të vetëm, kjo dhe bindjet e tjera të tij e kanë quar atë nëpër burgje dhe sigurisht drejt vdekjes.

Të zhdukerit

Prishtinë ,portreti i të zhdukurve gjatë luftës.

Për të afërmit e Ukshin Hotit që mu dha rasti t’i takoj, si Afrim Hoti, Andin Hoti dhe Bislim Elshani, nuk është bërë asgjë e mjaftueshme për të gjetur se çfarë ka ndodhur me të. Është një person i harruar i Kosovës edhe përkundër kontributit të madh dhe sakrificës që ai ka bërë për kombin e tij. Motra e tij, Myrvetja është akoma e bindur se vëllau i saj është gjallë dhe se mbahet peng diku në Serbi ose në ndonjë vend tjetër. Pas luftës, do të jetë ajo që do t’i ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për të zbuluar të vërtetën, fatkeqësisht pa rezultat. Rasti i Ukshin Hotit na jep sot të drejtën për të vënë në pyetje pamjaftueshmërinë e Qeverisë së Kosovës në trajtimin e çështjes së të zhdukurve të luftës. 15 vite pas luftës, numërojmë ende 1655 persona të zhdukur. Disa familje ende shpresojnë se do të shohin njërin prej tyre të kthehet. Atëherë, kur filluan më vitin 2011 marrëveshjet teknike për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian, me qëllim të lehtësimit të integrimit të këtyre dy vendeve në të, çështja e të zhdukurve thjeshtë injorohet. Edhe pse në dhjetor 2013, në jug të Serbisë zbulohet një varr masiv. Llogaritet se në atë zonë gjenden rreth 250 deri më 350 trupa shqiptarë21. Në mars të vitit 2014, 48 trupa të shqiptarëve janë gjetur në një aeroport ushtarak afër Beogradit22.

Përfundim

Jeta e Ukshin Hotit është një paralele e përsosur e ngjarjeve që kanë ndodhur në Kosovë pas luftës së dytë botërore. Ky i fundit e gjeti veten në qendër të ngjarjeve kryesore. Të rrëfesh historinë e Ukshin Hotit është të rrëfesh historinë e Kosovës, është të rrëfesh historinë e popullit shqiptar të Kosovës. Sot, rinia e Kosovës e kërkon, një rini që nuk është korruptuar nga joshja e pushtetit, që është e bindur nga pastërtia e veprave të Ukshin Hotit dhe që vë në pyetje akoma fatin e kombit të vet. Duke rikujtuar atë rini të demonstrateve studentore, ajo që i kishte dhënë Ukshin Hotit zellin e nevojshëm për tu angazhuar, ti mbrojë dhe të heq dorë nga puna e tij, nga përfitimet që ai vetë i kishte fituar nga studimet, për çështjen shqiptare. Pasardhëse e saj është kjo rini e sotme, që ende shfaq nëpër mure fytyrën e tij pyetëse. Ky epitaf i shpërndarë, pyet akoma : « Ku është Ukshin Hoti ? ». A duhet populli shqiptar të shoh sot një kuptim të ndryshëm ? Duket sikur ky mbishkrim t’ua kthen përgjigjen me një pyetje, sikur në brendësi Ukshin Hoti i udhëhequr nga vendosmëria dhe ndërgjegjia e tij, duke e ditur se në mënyrë të pashmangshme ku do ta çonin veprimet e tij, ta pyes popullin e tij : « Po ju, ku jeni ju ? »

UKSHIN HOTI, kronologjia

Shënime

16. Sipas të dhënave të fundit të Kryqit të kuq.
17. Karta e Kombeve të Bashkuara, Kapitulli 1, neni 3.
18. http://rahovecpress.com/peticioni-per-fatin-e-ukshin-hotit-tashme-ne-kuvend/
19. Bislim Elshani, Ukshin Hoti dhe bazat morale të politikës shqiptare. 2013.
20. Faqja zyrtare e shtetin Maqedonas ( Të nënvizohet se faqja është vetëm në gjuhën maqedone dhe në gjuhën angleze) : http://www.mfa.gov.mk/?q=node/162&language=en-gb
21. http://www.arcinfo.ch/fr/monde/serbie-kosovo-21-victimes-decouverte-dans-un-charnier-a-rudnica-577-1300496
22. http://www.eulex-kosovo.eu/en/pressreleases/0580.php
Teksti i perkthyer nga frengjishtja nga : Edon Duraku & Leonora Saliju.
    UKSHIN HOTI : Pjesa 2, angazhimi

    UKSHIN HOTI : Pjesa 2, angazhimi

    Demonstratet studentore në Prishtinë, 26 mars 1981.

    Demonstratet studentore

    Pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1979, Ukshin Hoti vendoset në Prishtinë dhe bëhet profesor në Universitet, në fakultetin e Drejtësisë dhe të Filozofisë, ku ligjëron Sociologjinë Politike dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare. Ai, gjithashtu ligjëron në shkollën politike« Eduard Kardel », në Prishtinë. Fillimi i viteve të 80-ta është një pikë kthese për Kosovën gjithashtu edhe për Ukshin Hotin, i cili do të hyjë në një rrugë pa kthim. Në fakt, me datën 4 maj 1980, vdes Tito. Ky i fundit, në mënyrë që t’i qetësojë tensionet ndëretnike në rajon, ia kishte dhënë Kosovës në vitin 1974, statusin e krahinës autonome (Por, përsëri nën autoritetet serbe). Megjithatë, kjo nuk mjaftonte për popullin shqiptar, i cili aspironte për më shumë të drejta dhe liri brenda Jugosllavisë6. Këta të fundit, asokohe kërkonin haptas një Republikë të Kosovës me të drejta të barabarta me Republikat tjera të Jugosllavisë. Shqiptarët e Kosovës fillojnë të organizohen, në veçanti studentët. Me 11 mars 1981 fillojnë demonstratat studentore, duke grumbulluar mijëra studentë nëpër rrugë, lëvizja zmadhohej gradualisht gjatë javëve. Po ashtu, klasa punëtore protestonte, duke brohoritur parullën : “Kosova Republikë”. Grevat dhe protestat shpërthyen kudo në Kosovë, ndërkohë që lëvizjet për pavarësi nisen të formohen në çdo vend. Autoritetet serbe kryejnë arrestime masive dhe organizojnë një mbledhje në Universitetin e Prishtinës me qëllim që ta diskreditojnë revoltën, duke e shtyrë nomenklaturën e Kosovës dhe mësimdhënësit shqiptarë që t’i mbështesnin politikat e tyre. Në këtë mbledhje Ukshin Hoti më 19 nëntor 1981, ndryshon kahun e kësaj të fundit duke dëshmuar shkencërisht funksionalizimin dhe të mirat që do të sillte një republikë e Kosovës në Jugosllavi, duke thënë se do ta përforconte stabilitetin e kësaj të fundit. Nomenklatura shqiptare e Kosovës e personifikuar ndër të tjera me Fadil Hoxhën, Azem Vllasin si dhe me një numër intelektualësh nga shoqata e shkrimtarëve të Kosovës nuk e mbështesnin këtë revoltë, duke u bërë thirrje studentëve që ta qetësojnë situatën. Disa shqiptarë e shihnin këtë thirrje si një frikë e hershme e hakmarrjes serbe, ndërsa ithtarët do të flasin për një strategji afatgjatë. Populli shqiptar i Kosovës ende nuk ishte i gatshëm për të marrë rreziqe të tilla në një Jugosllavi, në të cilën filluan të vëreheshin ndjeshmëritë e rënies ekonomike dhe një nacionalizëm serb në rritje. Ukshin Hoti nuk ishte i këtij mendimi, ai e merr përsipër sfidën për të treguar në mënyrë të qartë qëllimet dhe qëndrimet e tija rreth bashkimit të shqiptarëve, që sipas tij, kishin arritur pjekurinë për vetëqeverisje dhe që demokracia e shqiptarëve të Kosovës kishte lindur vetëvetiu, pa ndikime të jashtme. Kjo është ajo që më vonë, Ukshin Hoti do ta përshkruante si “Demokracia Autentike”. Protestat studentore do të shkaktojnë shumë trazira në Jugosllavi : 1298 studentë u arrestuan dhe 1019 prej tyre u dënuan, ndër ta edhe vëllai i vogël i Ukshin Hotit, Afrim Hoti, kur ai ishte vetëm 17 vjeç7-8. Një pjesë e atyre që arritën të shpëtonin u detyruan të largoheshin në mërgim, kryesisht në Zvicër dhe në Gjermani. Gjithmonë të kërkuar nga autoritetet serbe, këta studentë të përjetshëm duhej të prisnin deri në fund të luftës së vitit 1999, që të mund të ktheheshin në tokën e tyre. Pas revoltës, pushteti serb lëshon një proces për të prishur rinin shqiptare nga nacionalizmi, që sipas Beogradit ishte manipuluar dhe indoktrinuar nga lëvizjet marksiste-Leniniste të Shqipërisë. Sipas shifrave zyrtare, ndërmjet viteve 1981 dhe 1988, 584’373 shqiptarë do të vendosen në paraburgim dhe merren në pyetje, pra një e treta e popullsisë shqiptare të Kosovës9. Për Ukshin Hotin, ishte e pamundur që një numër aq i madh qytetarësh të jetë i indoktrinuar. Sipas tij, pretendimet e shqiptarëve ishin legjitime, duke e pasur parasysh gjendjen e tyre ekonomike dhe që këto arrestime ishin thjeshtë një hakmarrje prej aparatit shtetëror serb lidhur me ata që i konsideronte si qytetarë të saj. Sa i përket Ukshin Hotit ai do të arrestohet 2 ditë pas mbledhjes dhe zemërimi jugosllav i bie në të me datën 21 maj te vitit 1982 : ai do të dënohet me 9 vite burgim për mbështetjen e revoltës. Këtu paraqitet një fragment i aktakuzës së dhënë nga gjyqtari Metush Sadiku nga Gjykata e Qarkut të Prishtinës :

    « Vepra penale të drejtuar në rrëzimin e pushtetit të klasës punëtore dhe të punonjësve, thyerjen e “vëllazërim – bashkimit”, prishjen e barazisë së kombeve e të kombësive dhe ndryshimin antikushtetues të rregullimit federativ të RSFJ’së. »

    Gruaja e Ukshin Hotit, Edi Shukriu do të ndërmarrë hapa të ndryshëm për t’i bërë apel vendimit të gjykatës së Prishtinës. Ajo më në fund do t’ ia arrijë qëllimit pas dërgimit të një letre të datës 5 prill 1983, drejtuar gjykatës së Beogradit. Atëherë dënimi do të zvogëlohet në 3 vite e gjysëm burg duke u vënë në dukje se akti i gjykimit të tij nuk kishte ndonjë bazë ligjore. Pas arrestimit të vitit 1981, Ukshin Hoti vuajti dënimin fillimisht në burgun e Prishtinës, më pas në burgun e Zagrebit dhe në fund në burgun e Lubjanës. Pastaj do të transferohet në burgun e Gjilanit. Në këtë të fundit, librat dhe stilolapsat janë të ndaluara, atëherë Ukshin Hoti, sipas Ismail Begollit një shok burgu, do të futet në një grevë urie 12 ditore për t’u transferuar përsëri në burgun slloven ku kishte qasje në lexim dhe shkrim dhe në kushte më të mira pune, por fatkeqësisht pa ja arritur qëllimin. Familja e tij paguan një çmim të rëndë për shkak të dënimit të tij ; në fakt, motra e tij arsimtare, Myrvetja, në Krushë të Madhe shkarkohet nga puna. Ndërsa, motra tjetër Resmija, që sapo kishte përfunduar studimet nuk do të mundë ta ushtrojë profesionin e saj si arsimtare. Ja një fragment ku Ukshin Hoti flet për rininë dhe revoltën studentore :

     « Në vitin 1981 i kisha parë shokët e tyre në aksion. Kisha qenë në afërsi të tyre, e ndonjëherë edhe midis tyre dhe milicisë. I kisha soditur fytyrat e tyre «të nxira» nga «betejat», të egërsuara, të zbehura nga lodhja apo të skuqura; sytë e tyre të përlotur nga gasi, por edhe nga dhembja; gjymtyrët të dërrmuara nga vrapi ose nga përleshjet me të rinjtë tjerë të veshur me uniforma. Nuk kisha mundur t’i mendoja si armiq, si të indoktrinuar, e as si kontrarevolucionarë. E kisha fituar përshtypjen e një mllefi të përgjithshëm, të shkaktuar jo vetëm nga momenti aktual, por edhe nga e tërë historia. Për këtë shkak, kur politika me arrogancë kishte kërkuar prej meje që të ndikoja në ndërprerjen e tyre, kisha kuptuar se ajo kishte dështuar. Nuk provova t’i ndërprisja, por as nuk dëshiroja të vriteshin mes vete. Për këtë shkak, në bisedën e heshtur me heshtjen “më të madhe se nemitja», kisha vendosur të mbetesha pranë tyre. Dhe, mbeta pranë tyre, edhe atëherë kur u vetëlind Kosova, por edhe atëherë kur u vranë dhe kur u inaugurua demokracia. I vështroja nëpër burgje; i vështroja edhe ata që i mbanin uniformat. Të dy palët më dukeshin të burgosur. Shpirtërisht, – veniteshin ata që i mbanin automatikët dhe uniformat; fizikisht, – rrënoheshin këta që ishin brenda grilave. Për këtë shkak, në bisedën e heshtur me heshtjen «më të heshtur se nemitja», befas kisha pyetur: në emër të cilës politikë dhe të çfarë principeve politika i kishte quajtur të parët kontrarevolucionarë, ndërsa të dytët i kishte armatosur për t’i ndjekur të parët? Përse kishte heshtur Evropa? Këta të rinj, të etur për dije, të lënduar nga heshtja, të rënë në kundërshtim me moshën, por të vendosur që me çdo kusht ta krijonin botën e tyre, kishin qenë bartësit e ngjarjeve të vitit 1981. Kishin qenë gati fëmijë. Bile, nuk kishin qenë të vetëdijshëm as për peshën e veprave «të inkriminuara», e as për peshën e ngjarjeve që i kishin inicuar. Në bisedën e heshtur me veten e kishin ndërtuar botën e ëndrrave të tyre. U ishte dukur se e kishin pasur për detyrë t’i kontribuonin krijimit të botës së ëndrrave të tyre dhe nuk i kishin menduar rrjedhimet eventuale as për veten, as për familjen, as për rrethin. Në fillim nuk i kishin kuptuar as vlerësimet politike për atë që kishin bërë. Pastaj ishin habitur me ato që i dëgjonin për veten dhe më në fund, të rezignuar, i kishin besuar vetëm vetes dhe qëllimit të tyre.[…] Bota që e gjakonin ishte e përmbushur me shpirtin e tyre të pastër, me ëndrrat e tyre të bukura, me idealet e tyre të mëdha. Ishte ajo një botë e barazisë së përgjithshme dhe të plotë, e zhveshur nga ligësitë e llojeve të ndryshme. E dëshironin një botë me raporte të çiltra e humane, me konkurrencë të lirë të mendimit dhe të ideve, me kritere të njejta të zgjedhjes së më të mirit, pa përbuzje, një botë ku do të shpërthenin vlerat e tyre të njëmendëta individuale dhe gjeniu i tyre kolektiv krijues. »

    Nga e majta në të djathtë: Mentor Kaçi (montazh), Ukshin Hoti, Ekrem Kryeziu (Regjisor) dhe Halil Alidema (historian) me 21 maj 1982.

    Izolimi

    Në prill të vitit 1985, Ukshin Hoti lirohet, por gradualisht detyrohet të izolohet në fshat. Jeton në kushte të izolimit ekstrem dhe nuk ka të drejtë të merret me çfarë do aktiviteti politik dhe pedagogjik. I merret pasaporta dhe ruhet nga policia serbe dhe shërbimet sekrete. Për banorët e fshatit ai bëhet i pafrekuentushëm. Në fakt, represionet ndaj shqiptarëve rriten që prej revoltave studentore dhe këta të fundit duan t’ju shmangen telasheve. Ky ishte edhe njëri prej qëllimeve të izolimit të tij: ta ndajnë nga populli, ta shkatërrojnë moralisht si dhe t’i asgjësojnë synimet e tij për Kosovën. Në këtë kohë ai nuk kishte asgjë tjetër veç se të merret me bujqësi dhe sipas motrës së tij Myrvetes, t’ju përkushtohet studimeve të tij shkencore dhe punimit të tij të doktoraturës. Këtë të fundit e ka filluar në vitin 1980 dhe ka pasur për temë : « E drejta e vetëvendosjes së popullit shqiptar krahas faktorit ndërkombëtar ». Por, pas burgosjes, banesa e tij është kontrolluar disa herë me qëllim gjetjen e punimeve të tija. Punimi tij i doktoraturës është fshehur në vende të ndryshme nga familja e tij. Vëllai i tij Ragipi, do ta marrë përgjegjësinë për të groposur punimin në fshatin e tij të lindjes, por si përfundim ajo do të digjet në shtëpinë e prindërve të tij gjatë luftës. Sipas djalit të Ukshin Hotit, Andinit një tjetër punim i doktoraturës ka qenë i filluar nga babai i tij dhe kishte për temë : « Kosova, si një faktor i stabilitetit politik ». Ajo duhej të mbrohej në Gjermani, por burgosja e tij në vitin 1994 nuk ia mundësoi këtë gjë.

    Në vitin 1989, Millosheviçi zgjidhet kryetar i Republikës së Serbisë dhe që në fillim e heq autonominë e Kosovës, duke ngritur kështu shumë pakënaqësi dhe protesta. Në kohën kur bie muri i Berlinit me 9 nëntor 1989, për shqiptarët nuk është më në pyetje Republika e Kosovës, por bëhet fjalë për të luftuar për ta mbrojtur autonominë. Në vitin 1990, Ukshin Hoti do të largohet për në Lubjanë, atje ku shtypi nuk ishte ende i censuruar. Filloi të shkruante për dy gazeta shqiptare : « Alternativa » dhe « Republika ». Më pas, “të orientojmë politikisht opinionin Kosovar drejt qëllimeve tona për pavarësi”, thot Bislim Elshani, Ukshin Hoti me këtë të fundit dhe me Rexhep Hotin themeloi revistën “Demokracia Autentike – DeA” ku punoi si redaktor i saj. Këto gazeta do të mbyllen në vitin 1991. Sipas Bislim Elshanit, ishin autoritetet serbe që do ti shtyjnë këto gazeta drejt mbylljes, me pretendimin se shitjet janë në rënie ku përkundrazi ato ishin në rritje. Ukshin Hoti detyrohet të kthehet në Krushë të Madhe, ku vazhdon studimet e tija shkencore dhe merr përsipër angazhimin e flaktë për vetëdijesimin kombëtarë në zonat rurale. Përderisa, institucionet e fakulteteve të ndryshme të Universitetit të Prishtinës shkojnë drejt mbylljes prej vitit 1990, Rektorati dhe mësimdhënësit do të organizohen për t‘ju mundësuar studentëve, vazhdimin e studimeve. Atëherë mësimet do të ligjërohen nëpër shtëpi private, xhamia, garazhe dhe lokale të ndryshme. Ishte viti 1992, kur një grup studentësh sipas Bajram Hotit, bën kërkesën pranë Fakultetit të Filozofisë që t’i mundësohet Ukshin Hotit, kthimin për të ligjëruar në këtë fakultet, gjë që do ta bëjë deri në vitin 199310.

    Në vitin 1992, në fshatin Brestovc, Ukshin Hoti organizon një homazh për viktimat e vrara nga policia serbe dy vjet më parë në një demonstratë për Republikën e Kosovës. Ai dënohet për këtë në vitin 1993 me 55 ditë burgim. Në vitin 1992, në rrethana të panjohura ai largohet nga LDK-ja, në të cilën ishte anëtarësuar më 1991. Në të njëjtin vit, ai shkon në Tetovë në një tubim kombëtar të organizuar nga shqiptarët. Ai mban një fjalim, ku përkrahë haptas bashkimin kombëtar brenda një shteti Shqiptar. Në maj të vitit 1993, me shokun e tij Agron Limanin, ai shkon në pallatin e shtypit të gazetës“Rilindja”, që kërcënohej me mbyllje, ku Adem Demaçi dhe aktivistë të tjerë bëjnë grevë urie për të përkrahur lirinë e medieve. Gjatë rrugës së kthimit, ata ndalohen në një post bllok policor në Komoranë. Pasi kontrollit së identitetit të tyre, ata merren dhe dërgohen në stacionin e policisë në Gllogovc. Aty Ukshin Hoti merret në pyetje dhe Agron Limani rrihet nga policia. Pas lirimit të tyre, në dalje të qytetit, ata përsëri ndalen dhe rrihen nga 14 policë serb. Policia i qëllon me shqelma dhe me kondakët e pushkëve, duke i shkaktuar kështu Ukshin Hotit plagë të rënda trupore: fytyra e tij ishte e ënjtur dhe i kishin thyer dy brinjë (shih foton nr. 5 të galerisë me poshtë). Në shënjestër të autoriteteve serbe, ky paralajmërim është shenjë e qartë që ai duhej të tërhiqet nga çdo tentativë për Kosovën. Megjithatë bindjet dhe veprimtaria e Ukshin Hotit janë të patunduara. Ai haptazi ekspozon synimet e tija të reja dhe vazhdon thirrjet ndaj shqiptarëve nëpërmjet konferencave të ndryshme për të mbështetur bashkimin kombëtar.

    Ukshin Hoti gjatë nderimit të viktimave nga demonstratat për Republikën e Kosovës, 1992.

    Mund të habitemi me ndryshimin e mendimit politik të Ukshin Hotit: Në fillim ai përkrahte një Republikë të Kosovës brenda Jugosllavisë, tani punon me qëllimin që të shoh një Shqipëri të bashkuar. Sipas Bislim Elshanit, ideja për një Shqipëri të bashkuar ka qenë gjithmonë e pranishme tek Ukshin Hoti. Republika e Kosovës në kuadër të Jugosllavisë ishte pjesë e procesit normal me mundësi për të arritur këtë qëllim me gjithë legjitimitet. Këtu paraqitet një fragment në lidhje me Republikën e Kosovës në librin e tij « Filozofia politike e çështjes shqiptare » :

     « Republika e Kosovës, si do që të duket, mund të konsiderohet zgjidhje e pjesëshme, paliative e çështjes shqiptare11. Mirëpo zgjidhjet paliative të çështjeve të mëdha mund të konsiderohen dhe janë cilësi e luftës politike dhe produkt i mençurisë së faktorit politik shqiptar në vlerësimin e tërësishëm të rrethanave, rrugës së zhvillimit të proceseve dhe synimeve përfundimtare të tyre. »

    Para vitit 1990, bashkimi me Shqipërinë do të thoshte luftë me Serbinë. I vetëdijshëm për forcat ushtarake në të gjitha anët nuk mund ta rrezikonte edhe integritetin territorial të Shqipërisë. Pastaj, lind pyetja se pse pikërisht pas vitit 1990 ai kërkonte një Shqipëri të bashkuar? Arsyeja është se ngjarjet e përshpejtuara, përkatësisht për heqjen e autonomisë në vitin 1989, e kanë përshpejtuar edhe idenë e tij për bashkim. Përveç kësaj, shpërbërja e Jugosllavisë ishte e pashmangshme. Në fakt Serbia, i shpallë luftë Sllovenisë dhe Kroacisë në vitin 1991. Në dhjetor të vitit 1990, dridhjet e rrëzimit të murit të Berlinit ndjehen po ashtu edhe në Shqipëri, atje revolta studentore i jep fund sundimit komunist prej me shumë se 40 viteve. Këto rrethana e përforcojnë mundësinë e një bashkimi të Kosovës dhe Shqipërisë. Në Kosovë, lufta është e pashmangshme ; në një fjalim më 7 korrik 1991, Ukshin Hoti kërkon që të krijohen organet policore dhe ushtarake për të përgatitur fushën, por pragmatizmi i tij i tremb bashkëqytetarët. Megjithatë, pikërisht kjo ndodhi : Ushtria Çlirimtare e Kosovës filloi të krijohej.

    Atëherë kur i hiqet izolimi nga shoqëria pas nëntë vitesh, partia politike “UNIKOMB” i propozon Ukshin Hotit të jetë kryetarë i saj. Më 17 maj 1994, rrugës për në Prishtinë për të marrë postin e tij të ri, ai ndalohet nga policia serbe dhe burgoset në Prizren. Ai akuzohet se është anëtarë i lëvizjes ilegale në Kosovë (LPRK) dhe se ka themeluar gazetën “DeA”, nën qeverisjen dhe financimin e këtij të fundit12. Po ashtu, akuzohet se është anëtarë dhe kryetar i partisë “UNIKOMB”, që konsiderohej ilegale13. Gjatë gjykimit, është dëshmuar se ai nuk është anëtarë i lëvizjes “LPRK”, se gazeta ishte një gazetë e ligjshme dhe e pavarur dhe se partia e tij ishte e regjistruar në përputhje me ligjin jugosllav. Megjithatë, ai dënohet me 5 vjet burgim për ndërmarrjen e veprimeve antikushtetuese duke e rrezikuar integritetin territorial të Jugosllavisë14. Atëherë, ai transferohet në burgun e Dubravës, pastaj në Nish, në Mitrovicën e Sremit, për t’u rikthyer më pas në Nish.

    Burgosja e fundit

    Gjatë burgimit të tij, partia “UNIKOMB”, lufton për lirimin e tij, duke u përpjekur ta bëjë të njohur Ukshin Hotin dhe mendimet e tija jashtë kufijve të Kosovës. Shkrimi i aktit të tij të mbrojtjes, është përkthyer në disa gjuhë dhe është shfrytëzuar si mundësi për ta bërë atë të njohur. Shoku i tij Bislim Elshani, po ashtu nxjerrë një broshurë në lidhje me Ukshin Hotin : “Politika në Pranga”. Rasti i Ukshin Hotit më në fund bie në veshët e Parlamentit Evropian. Kështu, kur fillon lufta në Kosovë në mars 1998, bëhet një kërkesë në Këshillin Evropian që autoritetet e Beogradit ta bëjnë lirimin e parakohshëm të Ukshin Hotit. Ndonëse KNKK-ja e ka takuar më 1 mars 1999, nuk është vënë as në pyetje që Beogradi ta falte. Në tetor Parlamenti Evropian, me qëllim ta forcojë lirimin e tij, vendos ta nominojë për çmimin Saharov15. Megjithatë, është Ibrahim Rugova që e fiton këtë çmim në dhjetor të vitit 1998. Në shkurt të vitit 1999, gjatë konferencës së Rambujesë, që kishte për qëllim ta ndalojë luftën në Kosovë, përfaqësuesit e Kosovës të ballafaquar me përfaqësuesit serbë kërkojnë sipas Hydajet Hysenit, atëherë anëtarë i delegacionit shqiptar, lirimin e Ukshin Hotit me qëllim që të mund të marrë pjesë në marrëveshjet me Kosovën. Gjë që Serbia e refuzon edhe një herë.

    Në burg Ukshin Hoti ka qasje në një numër të kufizuar librash, megjithatë ai vazhdon të shqyrtojë mendimet e tij dhe vazhdon të shkruajë. Ai po ashtu, mban një korrespondencë me shkrimtarin Ismail Kadare. Këto shkrime do të publikohen në vitin 2000, me titull : “Bisedë përmes hekurash ». Me 1995, shoku i tij Bislim Elshani bashkon një numër të shkrimeve të tij dhe i publikon ne librin e tij të dytë : « Filozofia politike e çështjes shqiptare ». Ai po ashtu komunikon, me familjen e tij përfshirë këtu edhe motrën e tij Myrveten, e cila rrëfen në një letër që vëllai i saj i kërkon që ajo ta mbajë premtimin e dhënë, gjë që kjo e fundit nga pamundësia fatkeqësisht nuk e mbajti: të kujdesej për bibliotekën dhe shkrimet e tij. Në fakt, fshati i lindjes së Ukshin Hotit bombardohet më 25 mars të vitit 1999. Më pas, forcat serbe hyjnë në fshat duke krijuar një kaos tek banorët. Policia serbe depërton në shtëpinë e Ukshin Hotit dhe atë të prindërve të tij, shkatërruan gjithçka dhe në fund i vënë flakën. Flaka morri me vete kështu edhe librat e Ukshin Hotit, shkrimet dhe dy punimet e tij të doktoraturës që deri në atë kohë nuk pati mundësi për t’i mbrojtur. Ndërsa banorët e fshatit marrin arratinë dhe gjejnë strehim nëpër vreshta dhe kodra. Kështu familja e Ukshin Hotit ndahet me dhunë nga policia serbe. Vëllai i tij Ragipi, duke dashur të gjej gruan dhe vajzën e tij kthehet në fshat, për të mos u kthyer më. Trupi i tij i pajetë do të gjendet 53 ditë më vonë. Prindërit e Ukshin Hotit shkojnë në një fshat të afërt, në Nagavc ku gjinden mijëra banorë të ardhur nga fshatrat për rreth. Edhe këtu fshati bombardohet dhe Nazifi, babai Ukshin Hotit plagoset në krah nga një shpërthim i granatës. I moshuar, i ndjeshëm dhe në pamundësi për t’u shëruar, ai do të ndërron jetë nga plagët e marra më 18 prill të vitit 1999.

    Në këtë periudhë, kur Ukshin Hoti po vuante dënimin e tij në burgun e Nishit në Serbi, ai dhe shumë të burgosur të tjerë do të transferohen sërish në burgun e Dubravës. Me 16 maj 1999, atëherë kur lufta po zgjaste që gati një vit, Ukshin Hoti arrin tek fundi i dënimit të tij. Sipas Bajrush Xhemailit një nga të burgosurit, ai do të shoqërohet nga dy roje drejt daljes, e diel, një ditë jo e zakonshme për lirimin e të burgosurve. Që atëherë nuk do ta shohim më. Fati i tij ishte në duart e pushtetit serb.

    Me 19 maj 1999, burgu i rrethuar me tanke dhe me armë antiajrore të ushtrisë serbe, bombardohet nga NATO. Në ditët në vazhdim rojet dhe paramilitarët serb radhisin në oborr 800 të burgosur shqiptar nga 1000 që kishte burgu, ndërsa të tjerët fshihen nëpër qeli të burgut. Rojet dhe paramilitarët serb zbrazin plumbat e tyre tek të burgosurit me të gjithë arsenalin që ata kishin në dorë: granata, mitralozë, snajperë dhe bazukë. Masakrohen 176 persona dhe plagosen mbi 200 të tjerë. OJQ-ja « Human Right Watch » shkoi në vendin e ngjarjes me 24 maj të vitit 1999 dhe vë në dukje dëmet që do t’i publikojnë në raportin e tyre.

    “Ku është Ukshin Hoti ?”

    UKSHIN HOTI : Pjesa 1, fillimet

    UKSHIN HOTI : Pjesa 3, ku është Ukshin Hoti ?

    Galeria

    Shënime

    6. Republika federale socialiste e Jugosllavisë ishte e përbërë nga Republika e : Bosnës-Hercegovinës, Kroacisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Sllovenisë. Krahinat autonome e Kosovës dhe Vojvodinës ishin pjesë e Serbisë. Vojvodina është akoma krahinë e Serbisë.
    7. Ukshin Hoti, «Filozofia politike e çeshtjes  shqiptare». fq.64.
    8. Afrim hoti do të jetë i burgosur edhe ditën e ditëlindjes së tij të 18-të
    9. Blerim Reka, «Enigmë gjithnjë e pazgjidhur», Rilindja.
    10. Ukshin Hoti, «Filozofia politike e çeshtjes  shqiptare». fq.177-178.
    11. Kështu ështe në tekst. Fjala paliative dmth : e përkohshëm.
    12.Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës.
    13. Nga ekstrakti i aktit të akuzës nga Gjykata e Prizrenit, në maj te vitit  1994.
    14. Nga Ekstrakti i aktit të gjykimit nga Gjykata e Prizrenit, më 29 shtator 1994.
    15. I quajtur çmimi për lirinë e mendimit, çmimi Saharov jepet nga Parlamenti Evropian.
    UKSHIN HOTI : Pjesa 1, fillimet

    UKSHIN HOTI : Pjesa 1, fillimet

     Portret i Ukshin Hoti-t. 

     Parathënie

    « Ku është Ukshin Hoti ? »  Ishte  viti 2001 në Krushë të Madhe, ku për herë të parë u përballa me këtë mbishkrim që sot i përmbush muret e Prishtinës. « Është një politikan i zhdukur gjatë luftës », më patën thënë. Si shumë të tjerë gjatë luftës së Kosovës më 1999, desha të them. Më pas, me kalimin e ngjarjeve të ndryshme në Kosovë, emri i Ukshin Hotit kumbonte çdo ditë e më shumë. Ndonjëherë nëpër gazeta e ndonjëherë nëpër televizione ; pa mos e ditur se kush ishte ai në të vërtetë dhe duke mos e ditur arsyen pse e kërkohej. Emri i tij tingëllonte si jehonë e klithmave të dëshpërimit të popullit shqiptar, duke e lutur që të kthehet, që ai t’i shpëtojë, sepse nuk i shpëtuan pushtetit që mbretëronte. Vitet kalonin dhe Kosova endeshte pa status politik në kontinentin e vjetër. Pas zhdukjes së tij, vetëm në  vitin 2008 pas pavarësisë së Kosovës mediatizimi i tij filloi të rritet. Shumë shqiptarë do të thoshin me keqardhje « Populli jonë di t’i njohë vlerat e dikujt vetëm pas vdekjes së tij », duke e konfirmuar në një mënyrë thënien e Kadaresë « Shqipëria është një mbretëri e të vdekurve, ferrit, mbretëria e Hadit »1. Megjithatë,  që të vazhdojë jeta, Kosova kishte ndërtuar pavarësinë e re, ligje të reja, një kushtetutë të re, një qeveri të re. Por, e gjithë kjo pa mos e llogaritur mospajtimin e një pjese të popullsisë dhe poashtu duke harruar se një farë Ukshin Hoti vite më parë kishte imagjinuar dhe ndërtuar në shkrimet e tij një shtet shqiptar që përfshinte Kosovën dhe të gjitha trojet etnike shqiptare. Duke e ngritur kështu pyetjen e madhe që e trondit gjithë Evropën dhe që i përpinë shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë : a do të bashkohen këto dy shtete ? Kritikët do të flisnin për një « Shqipëri të madhe », si një nacionalizëm i tepruar, si një përbindësh që do ta gëlltiste të gjithë Evropën. Përkrahësit, në anën e tyre do të thonin që është një « bashkim kombëtar », që gabimet e së kaluarës duhet të përmirësohen dhe që asgjë nuk do të mund ta ndalë këtë bashkim. Këtij bashkimi i tremben shtetet tjera ballkanike por është i përkrahur nga Lëvizja Vetëvendosje. Lëvizja me kreun e saj Albin Kurti ka ditur ta rivendosë në ballë Ukshin Hotin. Duke i bërë shkrimet e tij udhërrëfyesin kryesor të programit të tyre politik me një qëllim të pashmangshëm « bashkim kombëtar » dhe duke i rikthyer në vëmendje pyetjet politike dhe gjeostrategjike të popullit shqiptar në Ballkan. Por, « Ku është Ukshin Hoti ? » I zhdukur në vitin 1999, këtu do të përpiqemi kryesisht për të ditur se « Kush është Ukshin Hoti ? »

    Fëmijerija dhe shkollimi

    Ukshin Hoti ka lindur më 17 qershor 1943 në Krushë të Madhe në komunën e Rahovecit të Kosovës. Është më i madhi prej 6 fëmijëve të familjes2. Nëna e tij, Fatimja ishte një amvise ndërsa babai i tij, Nazifi mbante një kioskë gazetash përballë shkollës së fshatit. Në këtë shkollë, Uka siç ju pelqen prindërve të tij ta quanin, filloi studimet. Shkolla e fshatit ofronte vetëm mundësinë për të kryer katër vite të shkollimit fillor. Për këtë arsye, katër vitet e fundit i vazhdon në fshatin Rogovë të Hasit. Në moshën 15 vjeçare, prindërit e regjistrojnë në « Shkollën Normale ». Pasi kryen katër vitet e para në Prizren dhe të fundit në Prishtinë, ky nivel arsimor i mundëson atij të japë mësim në 1963, në fshatin e tij të lindjes. (Shih foton nr. 3 të galerisë me poshtë). Megjithatë Ukshin Hoti dëshiron të ndjekë studime universitare.  Sipas vëllait të tij, Afrimit, më 1964 regjistrohet fillimisht në fakultetin e mjeksisë në Zagreb. Pastaj, me këshillë të profesorëve të tij ai shumë shpejtë riorientohet në shkencat politike. Vëllau i tij Ragipi e përcjellë dhe pajtohet të bëjë punë fizike për ta financuar shkollimin e vëllaut. Këtu është një dëshmi e nënës së Ukshin Hotit për shkollimin të fëmijëve të saj : 

     « Prej fëmijëve Ragipin dhe Hidajetin nuk patëm mundësi t’i shkollonim. Ragipi punonte si punëtor fizik për ta ndihmuar Ukën derisa ishte në studime. Dy vajzat Myrveten, Resmijen dhe djalin Afrimin i dërguam në shkollë. »

    Në Zagreb, Ukshin Hoti jep shenjat e para të aktivizmit : Ai organizon protesta kundër luftës në Vietnam3. Pas përfundimit të studimeve, në vitin 1968 ai fillon studimet pasuniversitare në Beograd në drejtimin e marrëdhënieve politike dhe ekonomisë ndërkombëtare. Paralelisht me studimet, ai kryen në të njejtin qytet edhe shërbimin ushtarak (Shih foton nr. 4 të galerisë me poshtë). Nga viti 1969, ai do të shkruajë artikuj të ndryshëm në rubrikën e punëve të jashtme të gazetës « Rilindja ». Në shkurt të vitit 1970, ai angazhohet në administratën shtetërore, më saktësisht në Komisionin Ndërkombëtarë për Bashkëpunim me LSPPJ (Lidhja Socialiste e Popullit Punonjës të Jugosllavisë) ku punon deri në maj të vitit 1972. Në kuadër të saj, ai delegohet për një mision paqëruajtës në Angolë për një periudhë 4 mujore dhe sipas vajzës së tij, Erleta Hoti në Indi për një periudhë 2 mujore.

    Ukshin Hoti (i katerti prej të majtës) gjatë ndarjes së diplomave të fakultetit të Zagrebit, 1968.

    Në prill të vitit 1972 ai emërohet Sekretar i sekretariatit për Marrëdhenie më Jashtë. « Ky emërim bie në kundërshtim me disa kuadro të larta të atëhershme të Kosovës » dëshmon nëna e tij Fatimja duke mos zbuluar emra. Për këtë arsye, ai shpërngulet në Prishtinë për të marrë funksionet e tij. Gjatë mandatit të tij, Ukshin Hoti është edhe një ndër arkitektët e marrvëshjeve ndërmjet Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Kjo u ka mundësuar disa profesorëve të Shqipërisë të vijnë të vendosen në Kosovë për të ligjëruar në Universitetin e Prishtinës4. Për shembull: Arben Puto, që ka ligjëruar histori dhe marrëdhënie ndërkombëtare, deri më 1980. Ky bashkëpunim ishte një përparim madhor për shqiptarët e Kosovës edhe përkundër rrezikut që merrnin të dy palët : për Jugosllavinë që shifte shqiptarët e Kosovës të ushqeheshin me kërkesat për pavarësi dhe për Shqipërinë e Enver Hoxhes, që ishte e izoluar, duke lejuar pasqyrimin e një boshllëku të formuar, duke u lejuar arsimtarëve të saj të punonin në një shtet më të hapur drejt perëndimit. Megjithatë, hendeku ekonomik ndërmjet Kosovës dhe shteteve tjera Jugosllave po thellohej edhe më shumë. Duke mos patur mundësi për të reaguar në punët e mbrendeshme të Kosovës e sidomos duke mos mundur t’iu përgjigjet nevojave të rinisë shqiptare, duke vënë në pikëpyetje situatën socio-ekonomike dhe duke pretenduar më shumë të drejta dhe liri, Ukshin Hoti më 1977 jep dorëheqje nga posti i sekretarit për marrëdhënie me jashtë.

    Ukshin Hoti në Angola, 1972. 

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës

    Në vitin 1978, pasi ka fituar bursën « Fulbright 5», Ukshin Hoti udhëton për në Shtetet e Bashkuara për të vazhduar specializimin në Universitetin e Washingtonit, Çikagos poashtu edhe të Harvardit, ku punon edhe si shkencëtarë i pavarur. Gjatë qëndrimit atje, ai merr pjesë në simpoziume të ndryshme të organizuara prej anëtarëve të Kongresit dhe senatorëve amerikanë. Këtu është një shkëputje e marrë nga deklarata e tij e mbrojtjes më 1994 ku ai flet për jetën e tij :

     « Gjatë qëndrimit në specializim në SHBA kam gëzuar një trajtim jashtëzakonisht të lartë. Kam qenë i emëruar nga ana e rektorit të Universitetit të Harvardit si hulumtues shkencor i pavarur. Kam qenë i zgjedhur si i vetmi njeri që do të përfaqësonte të gjithë specializantët dhe postdiplomistët e Evropës në SHBA. Në këtë cilësi kam marrë pjesë në shumë dreka dhe bisedime që i organizonin senatorë e kongresmenë të caktuar dhe përfaqësues të pushtetit në SHBA. Kam marrë pjesë aktivisht nëpër simpoziume të ndryshme shkencore dhe nëpër ligjërime të intelektualëve autoritarë të SHBA. […] I kisha dyert e hapura për të gjitha kontaktet e mundshme dhe gëzoja shkallë të lartë të ndihmës teknike. […] Mirëpo për të gjitha këto, për gjithë atë trajtim të lartë që m’u kishte siguruar atje, asnjëherë gjer më sot nuk e kam falenderuar qeverinë e SHBA-ve. Këtë gjë nuk e kam bërë jo vetëm për shkak se menjëherë pas kthimit në Prishtinë me 1979 jam përfshirë në vorbullën e ngjarjeve që pasuan së shpejti, por më tepër për shkak se gjithnjë deri më sot nuk kam pasur përgjigje të qarta në disa pyetje që më mundojnë edhe tani. Ishin të nevojshme kohë të mbushura me ngjarje që këtë më në fund ta kuptoja, në mënyrë që të dija edhe të pozocionohesha në raport me të. […] Ajo që mua ndërkaq atëherë më pengonte dhe që nuk arrija të kuptoja dot ishte paaftësia ime që t’i zbuloja qëllimet e vërteta amerikane kundrejt popullit shqiptar të cilit unë i përkisja. Dëshiroja të depërtoja pak më larg nga kundërvënia e tyre ndaj regjimit të Enver Hoxhës, por këtë gjë ata nuk ma mundësonin. »

    Gjatë qëndrimit të tij në Amerikë, Ukshin Hoti tenton t’ua demonstrojë amerikanëve kompleksitetin e situatës në Ballkan dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Kosovës. Megjithatë, për shkaqe ekonomike, çështja shqiptare në sy të amerikanëve lihet anash. Që në vitin 1977, përmendej pavarësia e Kosovës si një mënyrë që do të sillte stabilitet në Ballkan, thotë Stephen Larrabee, anëtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Presidentit Karter dhe mik i Ukshin Hotit ; Tash është në pyetje një Shqipëri e bashkuar vetëm nën Jugosllavinë. Këtu është një tjetër shkëputje nga deklarata e tij e mbrojtjes për këtë çështje :

     « E di se pikëpamja që amerikanët më me dëshirë do ta shihnin Shqipërinë të bashkuar me Kosovën dhe jo Kosovën me Shqipërinë ishte e përhapur gjerësisht midis emigracionit politik shqiptar në SHBA.[…] Kisha vënë re se gjithë çka kishte të bënte me Shqipërinë ishte e vendosur në kuadër të studimeve sllave dhe kjo si në Harvard ashtu edhe në Universitetin e Çikagos, ashtu edhe në Bibliotekën e Washingtonit DC. […] Lidhur me këtë çështje ata (Amerikanët) rezononin nga pozita e superfuqisë dhe nga pozita e politikës globale. […] Prandaj ranë në konkluzionin se do të duhej që Shqipërinë t’ia bashkonin Kosovës, në mënyrë që edhe më tej të mund t’i shisnin botës sllave 300 milion këmisha në vend të vetëm 5 milion këmishave sa do të mund t’u shisnin shqiptarëve po t’i mbështesnin. »

    Duhet të theksohet se Jugosllavia, në dyert e Evropës, ishte një ndër shtetet më të hapura nga blloku komunist.  Këtë e dëshmon edhe fakti se në vitet e 70-ta, afaristët zviceran dhe gjerman shkonin dhe kërkonin punëtorë krahu në Jugosllavi. Edhe Ukshin Hoti, në mesin e qytetarëve të tjerë të Jugosllavisë ta ketë mundësinë që të shkollohej në Shtetet e Bashkuara. Sa i përket arsyes se çfarë e shtyu Ukshin Hotin të largohet, sipas shokut të tij Bislim Elshani, ishte se establishmenti i Kosovës i personalizuar ndër të tjera nga Mahmut Bakalli, dëshironte ta largonte personin që ai ishte : shqetësues me pretendimet për Kosovën. Kjo në interes të Kosovës dhe të tij, meqë që kishte mundësinë të shkollohet jashtë vendit. Sa u përket privilegjeve që kishte marrë ai në Shtetet  e Bashkuara përsëri sipas Bislim Elshanit, ishte falë personit të tij, kulturës që ai kishte dhe të kuptuarit e tij për shoqërinë dhe për demokracinë amerikane, që ai e njihte permes Aleksis dë Tokëvill, njërit prej autorëve të tij të preferuar.

    UKSHIN HOTI : Pjesa 2, angazhimi

    Galeria

    Shënime

    1. Ismail Kadare, « Prilli i thyer » 1980.
    2. Sipas rendit të lindjes : Ukshin, Hidajete, Ragip, Myrvete, Resmijë dhe Afrim Hoti.
    3. Ukshin Hoti dhe Ismail Kadare, « Bisedë përmes hekurash » fq. 108.
    4. Llogaritet se kanë ardhur 224 profesorë ndërmjet viteve 1970 dhe 1981 sipas Serge Métais, «Histoire des Albanais, des Illyriens à l’indépendance du Kosovo». fq. 328.
    5. http://eca.state.gov/fulbright – Faqja zyrtare e programit Fulbright.